BURIMI: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Regjistrohen mbi 2,800 ndërmarrje për tre muaj, ndërsa shuhen mbi 380

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për tremujorin e dytë të sivjetmë, përkatësisht për muajt prill-qershor, tregojnë se në Kosovë u regjistruan 2,813  ndërmarrje te reja. Krahasuar me tremujorin paraprak, ka një rënie për -4.55 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, del se numri i ndërmarrjeve të regjistruara është për 780 sosh më i madh. Në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, u regjistruan 2,033 ndërmarrje.

ASK bën të ditur se aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 791 ndërmarrjeve të regjistruara 28.12 për qind; Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 360 ndërmarrjeve të regjistruara 12.8 për qind; Prodhimi me 303 ndërmarrjeve të regjistruara 10.77 për qind; Ndërtimtaria me 273 ndërmarrjeve të regjistruara 9.7 për qind; Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 256 ndërmarrjeve të regjistruara 9.1 për qind etj.

Sipas kategorisë, 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2,707 ndërmarrje të regjistruara, në këtë tremujor 96 për qind, me 5 deri 9 të punësuar janë 63 sosh 2 për qind, me 10 deri në 19 të punësuar ishin 30 ndërmarrje të regjistruara 1 për qind me 20 deri 249 të punësuar ishin 12 ndërmarrje të regjistruara 0.4 për qind, ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, ishte vetëm një  ndërmarrje e regjistruar gjatë këtij tremujori.

Tutje thuhet sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 823 ndërmarrje të regjistruara 29.26 për qind, Prizreni me 263 ndërmarrje të regjistruara 9.35 për qind, Ferizaj me 219 ndërmarrje të regjistruara 7.79 për qind, Gjilani me 151 ndërmarrje të regjistruara 5.37 për qind, Gjakova me 131 ndërmarrje të regjistruara 4.66 për qind dhe Peja me 120 ndërmarrje të regjistruara 4.27 për qind , ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Në anën tjetër, u shuan 381 ndërmarrje, 23 ndërmarrje më pak se sa në tremujorin paraprak dhe 235 më shumë se tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), i bëri të ditura me publikimin e reportorit “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, për tremujorin e dytë (TM2) 2021”.

Ndryshe, çdo vit në Kosovë, mesatarisht regjistrohen 9,218 biznese, e në anën tjetër shuhen mesatarisht rreth 1,534 tjera. Ndërsa, në vitin që shkoi u regjistruan 9,805 biznese e u shuan 1,326 sosh. Në të dyja kategoritë pati rënie. Të dhënat e tremujorit të fundit për vitin 2020, tregojnë se u regjistruan mbi 2,800 biznese ndërsa u shuan 440 sosh. Krahasuar me tremujorin paraprak ka rritje për 10.60 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, ka rritje për 11.76 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.