Konferenca e ASK “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023”. FOTO: KALLXO.com

Regjistrimi i popullsise si bazë e planifikimit për vendimarrje në nivelin lokal dhe qendror

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), me mbështetjen e UNFPA-së, ka organizuar sot konferencën “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023”.

Në këtë konferencë u bë e ditur se regjistrimi do të realizohet përmes numërimit në terren dhe regjistruesit e autorizuar nga ASK do të shkojnë derë më derë në të gjitha ekonomitë familjare, dhe do të vizitojnë çdo objekt, shtëpi apo banesë për të grumbulluar të dhëna statistikore për strukturën demografike të popullsisë, përbërjen familjare, moshën e gjininë e secilit individ, nivelin arsimor, kushtet e jetesës dhe statusin e punësimit.

Përfaqësues të insitucioneve të Kosovës e përfaqësues ndërkombëtarë treguan rëndësinë që ka regjistrimi i popullsisë duke thënë se kjo gjë kontribuon për vendimarrje më të mirë në nivelin lokal e qëndror si dhe u ndihmon investuesve në planifikim më të mirë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave përbën një prej ndërmarrjeve institucionale më të rëndësishme në Kosovë.

“Për të planifikuar dhe zbatuar politika të bazuara në evidencë dhe për zhvillim ekonomik dhe social është e domosdoshme të kemi të dhëna të besueshme dhe të detajuara. Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave përbën një prej ndërmarrjeve institucionale më të rëndësishme në vendin tonë”- tha Kurti.

Ai përmendi se të dhënat e nxjerra nga regjistrimi i popullsisë ndihmojnë që të ketë shërbime më të mira për qytetarët.

“Ato mundësojnë të gjithë shfrytëzuesve të të dhënave e veçanërisht vendimmarrësve në nivelin lokal e qëndror por edhe donatorëve e investuesve të tjerë orientimin dhe targetimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët”- u shpreh ai.

Ndër të tjera, kreu i Qeverisë theksoi se do ta mbështesin ASK-në me qëllim që regjistrimi të jetë cilësor, profesional dhe gjithëpërfshirës.

FOTO: KALLXO.com

Kurse, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se të dhënat statistikore të popullsisë krijojnë bazën e tërë infrastrukturës statistikore në Republikën e Kosovës.

“Kënaqësi e veçantë të marrë pjesë sot në konferencën e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë. Të dhënat statistikore të popullsisë krijojnë bazën e tërë infrastrukturës statistikore në Republikën e Kosovës”- tha ai.

“Instituti për planifikim hapësinor të Kosovës në kuadër të ministrisë ndihmon në planifikimin e territorit dhe në bashkëpunim të ngushtë me sektorë të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, harton një set të tërë të raporteve sektoriale të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit hapësinor sektorial”- vijoi Aliu.

Në anën tjetër, Arnhild Spence, koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë potencoi rëndësinë e partneritetit të Kombeve të Bashkuara me ASK-në.

“Dua t’iu tregoj partneritetin e fuqishëm që kanë Kombet e Bashkuara me Agjencinë e Statistikave të Kosovës dhe është diçka kritike që kemi sepse pa institucion të fuqishëm për statistika kombëtare është shumë vështirë që të kemi ndjenjën e nevojave të banorëve të Kosovës në një mori të sektorëve për zhvillimet njerëzore”- u shpreh Spence.

Ajo përmendi se regjistrimi i popullsisë është i nevojshëm sepse Popullata e Kosovës nuk është e përfshirë në raportin zhvillimor vjetor që kryhet nga programi zhvillimor i Kombeve të Bashkuara.

“Popullata e Kosovës nuk është e përfshirë në raportin zhvillimor vjetor që kryhet nga programi zhvillimor i Kombeve të Bashkuara. Pra, e shohim këtë si mundësi të jashtëzakonshme për të pasur të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të mirëfillta për të ndihmuar njerëzit e Kosovës”- vijoi ajo.

Kurse, Johannes Stenbaek Madsen, Udhëheqës i Njësisë Së Bashkëpunimit nga zyra e BE-së u shpreh se BE-ja i jep një rëndësi të jashtëzakonshme zhvillimit të një sistemi të regjistrimit të popullatës.

“Regjistrimi i popullatës është një anketim unik që ofron një mundësinë për gjenerimin e një profili tërë kombëtarë me statistika gjithëpërfshirëse për aspekte të ndryshme demografike dhe shoqërore duke ofruar baza të rëndësishme për vendimmarrje me bazë të fuqishme dhe qeverisje të mirëfilltë”- tha ai.

Përgjatë konferencës u bë e ditur se pyetësori i regjistrimit do të përmbajë edhe pyetje për përkatësinë etniko-kulturore dhe përkatësinë fetare por që përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve nuk është e detyrueshme.

Tutje, u theksua se pyetësori i regjistrimit do të plotësohet në mënyrë digjitale.