Samir Karahoda. Foto: MKRS.

Regjisori Samir Karahoda merr ftesë nga Akademia Evropiane e Filmit

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur së regjisori Samir Karahoda është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Karahoda është regjisor i filmit të shkurtër, “Pa vend”,  i cili u shfaq premierë në konkurrencën zyrtare në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2021, nga aty u nominuna për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit (EFA), për filmin më të mirë evropian.

Në shtator të vitit 2021, “Pa vend” fitoi çmimin “IMDb Pro shortcuts”, si filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Filmi tjetër dokumentar i Karahodës, i metrazhit të shkurtër, “Në mes”, në vitin 2019 u shfaq premierë botërore në Berlinale, si filmi i parë kosovar që konkurroi në këtë festival.

Edhe filmi “Në mes” ishte kandidat për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit( EFA) në vitin 2019.

Në vitin 2019, Karahoda u shpërblye me çmimin vjetor të kinematografisë nga Ministria e Kulturës.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua më 1989, si Shoqëri Evropiane e Kinemasë nga presidenti i saj i parë Ingmar Bergman dhe 40 kineastë të tjerë për të çuar para interesat e industrisë evropiane të filmit.

EFA synon të ndajë njohuritë dhe të edukojë audiencën e të gjitha moshave rreth kinemasë evropiane dhe numëron rreth 4,200 anëtarë, në mesin e tyre rreth 20 kinestë kosovarë.