Regjimi i Iranit nuk do të rrëzohet lehtë

Varja publike e një protestuesi tregon se reagimi i shtetit ndaj demonstratave masive po bëhet gjithnjë e më e dhunshme.

Pas tre muajsh demonstrata gjithëpërfshirëse, regjimi i Iranit ekzekutoi një protestues të dytë mëngjesin e 12 dhjetorit me akuzën e “bërjes së luftës me Zotin”.

Protestuesi, Majidreza Rahnavard, u var publikisht pasi u arrestua më 19 nëntor 2022 dhe u akuzua se vrau me thikë dy anëtarë të forcave të sigurisë së regjimit. Por grupet e të drejtave të njeriut kanë vënë në dukje shpejtësinë me të cilën Rahnavard u ndoq penalisht – pak më shumë se tri javë të ndara nga arrestimi dhe ekzekutimi i tij – si një tregues i qartë i përdorimit të gjyqeve false nga regjimi.

Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i OJQ-së me qendër në Oslo, Iran Human Rights, shkroi në Twitter se Rahnavard u dënua me vdekje bazuar në rrëfimet e detyruara, pas një procesi jashtëzakonisht të padrejtë dhe një gjyqi spektakolar. Sipas tij, ky krim duhet të përballet me pasoja të rënda për Republikën Islamike. Ai, së bashku me grupet e tjera të të drejtave të njeriut dhe vëzhguesit perëndimorë, kanë paralajmëruar se mund të ketë një “ekzekutim masiv” të protestuesve. Demonstruesi i parë që u var nga Republika Islamike ishte Mohsen Shekari, një 23-vjeçar i cili u vra më 8 dhjetor. Rreth dhjetë protestues të tjerë mendohet se janë në pritje të ekzekutimit.

Dënimet me vdekje deri më tani kanë bërë pak për ta shuar kryengritjen masive që përfshiu Iranin pas vrasjes së Mahsa Amini. Amini, një grua 22-vjeçare nga Irani veriperëndimor, ishte duke e vizituar familjen në Teheran në muajin shtator, kur ajo u arrestua dhe u raportua se u rrah nga “policia e moralit” e regjimit në rrugë për mbajtjen e papërshtatshme të hixhabit të saj; ajo vdiq në spital tri ditë më vonë. Që atëherë, demonstrata – disa paqësore, të tjera të dhunshme – janë zhvilluar në të gjithë vendin. Protestat janë udhëhequr kryesisht nga vajza dhe gra të reja dhe kanë bërë thirrje për fundin e regjimit të dhunshëm, shtypës teokratik: në videot e shpërndara në mediat sociale, turma dëgjohet teksa thërret “Vdekje diktatorit!” – në lidhje me liderin suprem të Iranit Ali Khamenei. Videot dhe raportet në mediat sociale në nëntor i shfaqën protestuesit duke djegur shtëpinë stërgjyshore të themeluesit të Republikës Islamike, Ayatollah Ruhollah Khomeini.

Reagimi i regjimit ka qenë gjithnjë e më i egër. Amnesty International vlerëson se më shumë se 300 civilë janë vrarë nga forcat e sigurisë së vendit, duke përfshirë 44 fëmijë; Amnesty International thotë gjithashtu se familjet e të vrarëve më pas u nënshtrohen arrestimeve, marrjes në pyetje dhe frikësimit për t’i mbyllur gojën. Protestuesit që janë plagosur nga forcat e sigurisë të Iranit në demonstrata kanë thënë se autoritetet po përdorin taktika brutalisht të dhunshme, duke e përfshirë verbimin e atyre që dalin në rrugë duke qëlluar me plumba gome dhe fishekë direkt në sy.

Kishte një shpresë të shkurtër se Republika Islamike do të bënte një koncesion për demonstratat kur media perëndimore raportoi më 4 dhjetor 2002 se regjimi po planifikonte ta shfuqizonte të ashtuquajturën polici të moralit pas komenteve të prokurorit të përgjithshëm të Iranit, Mohammad Jafar Montazeri. Megjithatë, aktivistët dhe anëtarët e grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ishin skeptikë se po konsiderohej ndonjë ndryshim i rëndësishëm; dhe pas disa javë me trazira, me zemërimin që nuk është zhdukur, nuk është e qartë nëse ndonjë gjë tjetër përveç rënies së regjimit do t’i kënaqë protestat.

Ekzekutimet publike shënojnë një kthesë shqetësuese lidhur me represionin. Nëse koncesionet nuk konsiderohen – ose nëse ato do të bënin pak për ta frenuar inatin e protestuesve gjithsesi – regjimi ka pak mundësi përveçse ta dyfishojë frikën dhe kontrollin. Vrasja e Mahsa Aminit simbolizon mizorinë e regjimit; forca e protestave të mëvonshme e tregon vullnetin e plotë të popullit iranian. Ky fakt nuk do të shkatërrohet, por është gjithnjë e më e qartë se regjimi është i përgatitur të shkaktojë sa më shumë dhimbje të jetë e mundur në dëshpërimin e tij për të mbetur në pushtet./Newstateman

Përgatiti: Nuhi Shala