Refuzohet kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues në rastin e Agonis Tetajt

Gjykata e Pejës ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt. Përjashtimi i trupit gjykues ishte kërkuar nga babai i Agonis Tetajt, Isuf Tetaj.

Në këtë situatë, ky trup gjykues sot pritet të marrë vendim lidhur me rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

Ky trup gjykues ose do të marrë vendim për të kthyer gjykimin nga fillimi ose do të shpallet aktgjykimi për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

Në një situatë të tillë Gjykata ka ardhur pasi ka pranuar kërkesën e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për të mos e shpallur të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, por të bëhet rihapja e shqyrtimit për të marrë prova të reja.

Kjo kërkesë e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka ardhur pas përjashtimit të prokurorit që ka bërë ricilësimin e veprës nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorit Agron Uka.

Me veprimin e prokurorit pasuan reagime nga familjarët e Agonis Tetajt.

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, përmes një emaili ka alarmuar opinionin publik lidhur me dyshimet e tij se prokurori i cili përfaqëson akuzën në rastin për vrasjen e djalit të tij, Agonis Tetaj – prokurori Agron Uka ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasja e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Letra e Isuf Tetaj ishte drejtuar për mediat, shoqërinë civile, ambasadat e huaja në vend dhe bashkangjitur ka edhe videon e momentit të vrasjes së djalit të tij.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka marrë lëndën e vrasjes së Tetajt nga prokurori Agron Uka për t’ia ndarë dikujt tjetër si dhe ka kërkuar nga gjykata që rasti të rihapet.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe  Besnik Berisha avokati mbrojtës i të akuzuarit në këtë rast, Shaban Gogajt u përfshinë në një situatë kontraverse ditëve të fundit, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Prokurori Uka ka konfirmuar se ky takim ka ndodhur mirëpo, sipas tij, takimi ka ndodhur tri vite më parë.

KALLXO.com ka arritur që të zbulojë kohën dhe vendin ku është realizuar fotografia ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt. 

Siç mëson KALLXO.com, fotografia është bërë në “Resortin Planet” në periferi të Gjilanit, ndërsa fotografia mendohet se është shkrepur verën e vitit të kaluar, pra në vitin 2020.

Berisha duke folur në lidhje me fotografinë, ka thënë se ka qenë në gjykim në Gjilan dhe ka shkuar në kafiterinë ku shihet foto dhe sipas tij, ka rastësisë në prokurorin dhe e ka përshëndetur.

“… Edhe sot me e pa, jo vetëm këta, po këdo prej prokurorëve e bëj të njëjtin send, sepse unë nuk kam nejt vetëm me këtë, kam nejt me përfaqësuesin e palës së dëmtuar, me palën e dëmtuar, me familjarë të palës së dëmtuar”, ka thënë Berisha.

“E mohoj për krejt jetën, për këtë rast, 1 mijë  herë e 1 milion herë. Nuk kam arsye me i thanë dikuj që nuk rri”, shtoi ai.

Në këtë rast penal ish-prokurorja e rastit Sahide kishte ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Prokurorja Gashi ishte përjashtuar nga ky rast penal pas një kërkesë të avokatit Besnik Berisha i cili përfaqëson Shaban Gogajn.

Pastaj më një vendim të ish kryeprokurorit Haxhi Dërguti ishte përjashtuar e tërë Prokuroria e Pejës.

Sipas prokurores Gashi, po të ekzistonte njëanshmëria e tyre në këtë rast atëherë ajo ose dikush nga Prokuroria e Pejës do të duhej të përgjigjej për përgjegjësi disiplinore mirëpo kjo nuk kishte ndodhur.

Aktakuza e ngarkon Shaban Gogajn për vrasje të Agonis Tetajt.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.