Gjykata e Gjakovës, FOTO-KALLXO.com

Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj mjekes së Spitalit të Gjakovës

Gjykata e Gjakovës ka refuzuar kërkesën e avokatëve të të akuzuarave Vera Lleshi dhe Jehona Arapi për hedhje të aktakuzës dhe provave të saj.

Vera Lleshi, mjeke në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, ndërsa Jehona Arapi po akuzohet për deklarim të rrejshëm.

Që të dyja, ishin deklaruar të pafajshme ndaj akuzave të Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se Vera Lleshi, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit të Gjakovës, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë, ka favorizuar kandidatën Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it.

E akuzuara Lleshi, sipas aktakuzës, duke riplotësuar ka ndërhyrë në testin me shkrim të kandidates Jehona Arapi, me qëllim që t’ia mundësojë ngritjen e pikëve të testit, e më pas në bazë të raportit nga eksperimenti grafologjik është identifikuar ndërhyrja e anëtares së komisionit në testin origjinal të kandidatës.

Sipas aktakuzës, këto veprime së të akuzuares Lleshi, kanë ndodhur me datë 15 maj të vitit 2017.

Ndërsa, më datë 8 gusht të vitit 2019, Jehona Arapi, në cilësinë e dëshmitares gjatë dhënies në Stacionin Policor në Gjakovë, ka paraqitur deklarim të rremë, duke mohuar se ndokush anga anëtarët e komisionit e kishte ndihmuar rreth plotësimit të testit me shkrim dhe se shkrimin në testin e saj e kishte bërë me dy stilolapsa.

Aktakuza thotë se në bazë të kësaj deklarate, Arapi arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kështu edhe kandidatët e tjerë.

Kundrejt këtyre akuzave, avokatët e të akuzuarave me shkrim kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të saj, mirëpo gjykatësi i rastit Shaqir Zika i kishte refuzuar me arsyetimin se provat në të cilat bazohet akuza janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe se në veprimet e të akuzuarave janë të gjitha elementet e veprës penale.

Gjykata ka vlerësuar se të njëjtat prova duhet të shqyrtohen një nga një në shqyrtimin gjyqësor.

Kurse avokatët e të akuzurave kishin paralajmëruar se do të ushtrojnë ankesë n kundër këtij Aktvendimi, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.