Arkiv - Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq | Foto: KALLXO.com
Refuzohet kërkesa për hedhjen e aktakuzës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq
Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve, Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviç, Zharko Jovanoviç dhe Rade Basara për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të parashtruar ndaj aktakuzës (së ndryshuar), të datës 10 nëntor 2020, në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.
Të akuzuar në këtë rast janë Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara dhe Dragisha Markoviq.
Kurse si udhëheqës të grupit të dyshuar kriminal janë të akuzuar Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.
Millan Radoiçiq ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit Sylë Hoxha.
Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa reagime për këtë pati edhe nga ish prokurori Hoxha.
Sipas aktakuzës, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16.01.2018, në qytetin e Mitrovicës, të pandehurit në bashkëpunim me të pandehurit Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq të cilët gjenden në arrati, dhe me dy të pandehur tjerë e që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq, në atë mënyrë që, të gjithë të pandehurit kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer vrasjen e rëndë.
Sipas aktakuzës, secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi të dyshuar kriminal të organizuar ka ardhë deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.
Përveç kësaj i pandehuri Nedeljko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke lejuar personat e pa autorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhë vrasja e të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Aktakuza thotë se i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe” me targa KM-014-FZ, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.
Kjo veturë pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllanë e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të të pandehurit Marko Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “GREY” e që është pronë e pandehurit Millan Radoiçiq.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, i pandehuri Rade Basara, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë – Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit të dyshuar kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë Zheljko Bojiq dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i pandehuri Milan Radoiçiq, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i seleksionojë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Millan Radoiçiq, kanë qenë të në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste mos të zbardhen dhe të mbesin të pa zbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura Silvana Arsoviq, si anëtare e grupit të dyshuar kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Oliver Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes së të ndjerit Oliver Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Oliver Ivanoviq, e njëjta me datën 16.01.2018, në ora 08:16 menjëherë pas vrasjes së Oliverit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP, e cila ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.
Më 16.01.2018, i pandehuri Dragisha Markoviq, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën e cila që përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që deri sa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës se Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Oliver Ivanoviq.
Më 16.01.2018, të pandehurit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, në cilësi të personave zyrtarë , kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes se Oliver Ivanoviqit, kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lëne personat e tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe se bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.
I pandehuri Zharko Jovanoviq, me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku me datën 10/02/2018, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës të pandehurit Zharko Jovanoviq është gjetur dhe konfiskuar një armë e e markës TT e kalibrit 7.62 mm me numër serik C-91769 dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje te organit kompetent.
I pandehuri Nedelko Spasojeviq, me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku me datën 23.11.2018 rreth orës 06:30 gjatë zbatimit të urdhër kontrollit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në shtëpinë e të pandehurit Nedelko Spasojeviq, i janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë e tipit kallashnikov AK-47 me kalibër 7.62×39 mm, një karikator AK- 47 si dhe 106 fishek e kalibrit 7.62 x 39 mm, një granat dore, shufër gome, një tyt tromblloni për kallashnikov, një jelek ushtarak, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent.