Foto: Kallxo.com

Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës ndaj gjyqtarit të akuzuar për ryshfet

Gjykatës e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës ndaj gjyqtarit nga Peja, Sali Berisha, i cili po akuzohet për veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe armëmbajtjes pa leje.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtari i rastit, Arben Hoti, i cili tha se kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave e ka refuzuar si të pabazuar.

Kërkesa ishte parashtruar nga avokati Besnik Berisha i cili në këtë rast e mbron Sali Berishën.

Po ashtu gjyqtari Hoti bëri të ditur se seanca e radhës për shqyrtim gjyqësor do të caktohet pasi të kryhet procedurat e ankiminit në Gjykatën e Apelit.

KALLXO.com ka kontaktuar avokatin Besnik Berisha për të marrë një përgjigje nëse i njëjti do të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit, mirëpo i njëjti ka thënë se ende nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës.

Në shqyrtimin fillestarë të mbajtur më 18 shtator, Sali Berisha ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohet.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F. Z., me të cilin ka kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi që kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i pandehuri ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç’rast i pandehuri ka marrë aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg tre vjet, me kusht prej dy vjet për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjyqtarin Sali Berisha se deri më 19.09 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë

Gjyqtari Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak. Berisha është i dyshuar edhe për keqpërdorim të detyrës.

Mbrojtja e gjyqtarit të pezulluar nga Peja propozon prokuroren për dëshmitare në gjykim