Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Refuzohet kërkesa e sinjalizuesit të RTK-së për caktim të masës së sigurisë

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar si të pabazuar propozimin e sinjalizuesit të RTK-së, Fadil Hoxha, për caktim të masës së sigurisë.

Në arsyetimin e vendimit të gjyqtarit të çështjes, Adnan Konushevci, thuhet se është konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me ligj për caktimin e një mase të tillë.

Ato kushte janë besueshmëria e kërkesës dhe provimi se pa u caktuar masa e sigurisë palës paditëse do t’i vështirësohej apo pamundësohej realizimi i kërkesës me padi.

Gjyqtari Konushevci në vendim ka vlerësuar se nuk është bërë e besueshme se ekziston një rrezik i tillë pasi që Hoxha është në marrëdhënie aktive të punës tek e paditura, në këtë rast RTK-ja.

Gjithashtu arsye tjetër e dhënë në vendim është se petitumi i padisë dhe i kësaj kërkese për caktim të masës janë pothuajse identike dhe nëse do të vendosej ndryshe do të paragjykohej vendosja e rastit në tërësi.

“Gjykata vlerëson se me aprovimin eventual të propozimit për caktimin e masës së sigurisë, do të zgjidhej edhe çështja kryesore e kësaj padie, respektivisht kërkesëpadia, andaj për këtë shkak, masa e propozuar është refuzuar si e pabazuar, ngasë me masën e sigurisë nuk mund të zgjidhet çështja kryesore, por me të vetëm sigurohet kërkesëpadia” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Ky vendim i marrë nga Gjykata është vetëm në lidhje  me propozimin për caktimin e masës së sigurisë dhe nuk është përfundimtar, palët kanë afat 7-ditor që të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sot u mbajt seanca për caktimin e masës së sigurisë të Fadil Hoxhës, kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit të Kosovës dhe sinjalizuesit të shkeljeve të menaxhmentit të RTK-së, i cili e ka paditur RTK-në për degradim në pozitë që ai përjetoi pas sinjalizimeve që i ka bërë gjatë vitit 2022.

Avokatura Sejdiu & Qerkini që e ka marrë këtë rast si padi strategjike për të shënuar precedent ligjor të ri në Kosovë në mbrojtjen e sinjalizuesve e argumentoi këtë rast para gjykatësit Adnan Konushevci në Gjykatën e Prishtinës.

Degradimi i Hoxhës filloi nga preteksti se nuk kishte qenë në zyrë, por kishte qenë në zyrë të Sindikatës së RTK-së e cila gjendet në ndërtesën e RTK-së në dhjetor të vitit të kaluar.

Me të marrë këtë vërejtje Hoxha e raporton rastin në polici si kërcënim ndaj aktivitetit të tij sindikal, ndërsa menaxhmenti i RTK-së fillon procedurë disiplinore duke e cekur që njëra prej shkeljeve është raportimi i rastit në polici.

Si rezultat i procedurës disiplinore, e cila udhëhiqet prej Alban Fetahut, shefit të shërbimeve të përbashkëta në RTK që ishte sot prezent në Gjykatë, Hoxha degradohet prej pozitës “Udhëheqës i Njësisë së Hulumtimit” në pozitën “Inxhinier Përgjegjës”, pozitë për të cilën ai nuk është i kualifikuar.

Me 25 janar Inspektorati i Punës ka konstatuar që Alban Fetahu dhe menaxhmenti i RTK-së kanë bërë shkelje me këtë degradim dhe i kanë dhënë afat RTK-së për të përmirësuar gabimet.

Pra, përveç në Inspektorat, Hoxha kishte bërë padi edhe në Gjykatë për të vërtetuar se RTK ka ndërmarrë veprime të dëmshme kundër tij dhe ai po kërkon të rikthehet në pozitën që kishte pasur.

Së bashku me padi, Fadil Hoxha ka dorëzuar në Gjykatë edhe propozimin për caktim të masës së sigurisë bazuar në ligjin për sinjalizim i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2019 me qëllim që t’i mbrojë sinjalizuesit nga penalizimi që mund të përjetojnë nga punëdhënësit në formë të presionit, degradimit, transfereve e përjashtimit nga puna pasi që ata të sinjalizojnë shkeljet me një institucion.

Gjykata në seancën e sotme trajtoi propozimin e tillë të paraqitur nga Hoxha dhe kundërshtimet e RTK-së ndaj pretendimeve të paditësit Hoxha.

Në seancë, mbrojtësi i Fadil Hoxhës, avokati Burim Azemi deklaroi se qëndron prapa pretendimeve të paraqitura në padi dhe propozim dhe kërkoi nga gjykata që të vendosë konform tyre.

“Nga të gjitha veprimet e kundër-propozuesit (RTK-së) të gjetura në padi dhe propozim, propozuesi (Fadil Hoxha) ndihet i kërcënuar në vendin e tij të punës, duhet të kemi parasysh që ndjenja është subjektive dhe propozuesi për shkak të dhjetëra sinjalizimeve dhe informacioneve që mund të ketë zbuluar ndihet i kërcënuar dhe paraqet kallëzim penal që është e drejtë e tij e ku me këtë çështje merren organet kompetente” – deklaroi avokati Azemi në seancë.

Këto pretendime i kundërshtoi Zana Spahiu, përfaqësuesja ligjore e RTK-së, e cila tha se degradimi i Hoxhës nuk ka ardhur si pasojë e të qenit sinjalizues.

RTK e përfaqësuar nga Spahiu kërkoi nga Gjykata që të mos aprovohet propozimi i tillë.

“Në rastin konkret konsiderojmë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës. Po ashtu nëse një kërkesë e tillë aprovohet, atëherë ky vendim do ta prejudikojë edhe çështjen kryesore. Rrjedhimisht i propozojmë gjykatës që pas administrimit dhe shqyrtimit të provave ta refuzojë si të pabazuar në tërësi propozimin për caktim të masës së sigurisë” – tha përfaqësuesja e RTK-së në seancë.

Me 7 shkurt KALLXO.com ka transmetuar një debat për sfidat e sinjalizuesve në Kosovë me ç’rast është debatuar edhe për rastin e Hoxhës.

Gjatë vitit 2022 Hoxhaj kishte qenë burim i ekspozimit të disa shkeljeve serioze që preknin bordin e RTK-së, Qeverinë e Kosovës dhe menaxhmentin e RTK-së.

Hoxhaj kishte sinjalizuar në Agjencinë Anti-Korrupcion dhe kishte dëshmuar në Prokurorinë e Kosovës për rastin e parë ndaj këtij menaxhmenti në fillim të 2022 lidhur me dyshimet për abuzimet me fondet e RTK-së duke e tërhequr padinë në gjykatë që do t’i shkaktonte dëm 20 mijë eurosh RTK-së për të cilën ne kemi raportuar gjatë vitit 2022.

Pas këtij sinjalizimi, menaxhmenti i RTK-së ishte tërhequr nga kompensimi financiar potencial që do ishte fituar në këtë kontest.

Në qershor të 2022, Hoxha kishte sinjalizuar edhe për diskriminimin që menaxhmenti i RTK-së i kishte bërë punëtorëve në baza gjinore duke i paguar gratë dhe burrat ndryshe për punën e njëjtë si prezantues lajmesh.

Në mars 2022 Hoxhaj sinjalizoi atë që e ai e quajti kurdisje të poenëve nga bordi i RTK-së në përzgjedhjen për Drejtor të Përgjithshëm dhe si pasojë e këtij sinjalizimi që u raportua edhe nga monitorimi i KALLXO.com konkursi për drejtor të përgjithshëm u anulua.

Gjatë vitit 2022 Sindikata e RTK-së, e udhëhequr nga Hoxha sinjalizoi te bordi i RTK-së se njëri nga anëtarët e bordit të RTK-së punonte për Tanjug, agjenci shtetërore e lajmeve të Serbisë.

Nuk u ndërmorën kurrfarë masa lidhur me këtë, por në nëntor 2022 ky anëtar bordi e dëshmoi që ishte pjesë e organeve të Serbisë kur dha dorëheqje nga bordi i RTK-së në momentin kur nga institucionet e Kosovës u tërhoqën edhe policët, gjykatësit e prokurorët me urdhër të Listës Serbe të Vuqiqit.

https://kallxo.com/ligji/perballja-e-fadil-hoxhes-me-rtk-ne-ne-gjykate/