Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit të Gjykatës së Hagës. Foto: ICTY.

Refuzohet kërkesa e Mlladiqit për paraqitje provash të reja

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë tha të enjten se ka refuzuar një kërkesë për të paraqitur prova të reja në lidhje me masakrat e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës në seancat e apelit në gjyqin e ish-komandantit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq.

Mbrojtja e Mlladiqit kishte kërkuar që dokumente që lidhen me granatimin e Markales në Sarajevë, dhunën e Srebrenicës në vitin 1995 dhe granatimin e Sarajevës të përfshiheshin si prova.

Ajo pretendoi se provat hidhnin poshtë gjetjen e gjykatës në vendimin e shkallës së parë të dhënë në nëntor 2017 se ai mori pjesë në katër “sipërmarrje të përbashkëta kriminale” gjatë luftës në Bosnje.

Ndër dokumentet që Mlladiq dëshironte të paraqiste si provë ishin një transkriptim i marrjes në pyetje të Shtëpisë Britanike të Lordëve të ish-komandantit të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara Michael Rose, tre dokumente të deklasifikuara nga grupi i punës i CIA-s në Ballkan dhe një mesazh i koduar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan te gjenerali i forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara Lars-Eric Ëahlgren.

Edhe pse kërkesa u refuzua, kryetarja e dhomës së apelit Prisca Matimba Nyambe paraqiti një mendim të veçantë nga anëtarët e tjerë të trupit gjykues, duke thënë se të pesë kërkesat e Mlladiqit duhet të aprovoheshin.

Nyambe tha që ajo mendonte se “materiali i kërkuar ishte i rëndësishëm, i besueshëm, me vlerë të lartë provuese dhe ekskluzive, duke shtuar se një detyrim për të zbuluar prova ishte gjithashtu tepër i rëndësishëm për një gjykim të drejtë”.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm në nëntor 2017, duke e konsideruar atë fajtor për gjenocid në Srebrenicë në 1995, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullatës së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe pengmarrje të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Mlladiq e apeloi vendimin, ashtu si edhe prokuroria e Hagës, e cila po kërkon që ai të shpallet fajtor për gjenocid në gjashtë komuna të tjera në vitin 1992.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara njoftoi të mërkurën se ka shtyrë seancat e apelit, të cilat fillimisht ishin caktuar për më 17 dhe 18 mars, sepse Mlladiq duhet t’i nënshtrohet një operacioni për të hequr një polip në zorrën e trashë.

Seancat dëgjimore tani duhet të mbahen rreth gjashtë javë pas operacionit, tha gjykata.

Mlladiq, 76 vjeç, ka pasur disa probleme serioze shëndetësore gjatë kohës që ka qenë në paraburgim në Holandë dhe ka pësuar dy infarkte dhe një atak në zemër.

Ende nuk është caktuar një datë për vendimin e tij të formës së prerë, por Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare ka thënë se ai do të jepet deri në fund të këtij viti.