Seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi | Foto: KALLXO.com

Refuzohet kërkesa e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës lidhur me rastin e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi

Gjykata themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Të pandehurit po akuzohen nga prokuroria që kanë privuar nga jeta dhe pastaj zhdukur trupin e biznesmenin nga Prishtina, Bedri Rexhepin për përfitim pasuror në shumën prej 30 mijë euro.

Lajmin se Gjykata Themelore ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi I të pandehurit Nexhat Vllasaliut, Shemsedin Piraj.

“Gjykata e shkallës të parë (Gjykata Themelore) e ka refuzuar kërkesën, por lënda është në gjykatën e Apelit me ankesë””- tha Piraj për KALLXO.com

Të akuzuarit lidhur me veprat penale që ju vihen në barrë, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e datës 14.11.2022

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu në bashkëkryerje dhe me marrëveshje kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta biznesmenin nga Prishtina Bedri Rexhepin.

E tëra kjo sipas Prokurorisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Tutje sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021, të dëmtuarin Bedri Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e privon nga jeta Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jetoni e kishte dërguar veturën e Rexhepit në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhatin i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jetoni kishte fshehur veturën e të ndjerit.

E me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerje e veprës penale.

E me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë si dhe veprën penale dëmtim i varreve apo kufomave.