Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Europiane - FOTO-KALLXO.com

Refuzohet kërkesa e ish-ministres Dhurata Hoxha për përjashtimin e prokurorit në gjykimin e saj

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka refuzuar kërkesën e ish-ministre Dhurata Hoxha në rastin që ajo po akuzohet për keqpërdorim të detyrës, që të ndërrohet prokurori i rastit, Dren Paca.

Ish-ministrja Dhurata Hoxha ka kërkuar largimin e prokurorit Dren Paca nga procedura në gjykimin ndaj saj dhe 3 zyrtarëve të tjerë, që po akuzohen se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore në një kontratë për lobim.

Në seancë Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njofton se deri në këtë moment nuk ka pranuar një vendim nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale lidhur me kërkesën e Dhurata Hoxhës.

Por pasi pyeti Dhurata Hoxhën, ajo konfirmoi se ka marrë përgjigje për kërkesën e saj.=

“Unë e kam pranu vendimin, është refuzuar“ – tha Dhurata Hoxha në seancë.

Me refuzimin e kësaj kërkese gjykimi ndaj ndaj Dhurata Hoxhës, Fitim Musafës, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani që po përballen me akuzat  për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze vazhdoi.

Seanca e fundit me vendim të kryetarit të trupit gjykues Arben Hoti, u vendos që të shtyhet pas paraqitjes së kërkesës së ish-ministres Hoxha, për përjashtim të prokurorit të rastit, Dren Paca.

Në fillim të seancës së shkuar, Hoxha kishte njoftuar gjykatën me pretendimin se bashkëshorti i saj e njeh babanë e prokurorit Dren Paca.

Ndërsa më herët, ishte prokurori Paca ai që kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues Arben Hotit, me pretendimet se i njëjti ka lidhje shoqërore me bashkëshortin e ish-ministres.

Kërkesën e prokurorit e ka refuzuar nën kryetari i gjykatës së Prishtinës, Dren Rogova.

E të njëjtat pretendime, Dhurata Hoxha i ka mohuar për KALLXO.com e të njëjtën gjë e ka bërë edhe sot në seancë, madje ajo shtoi se bashkëshorti i saj e njeh babanë e prokurorit Paca.

“Bashkëshorti më ka informuar se nuk e njeh gjyqtarin, mirëpo e njeh babanë e prokurorit Dren Paca, ku i njëjti ka qenë profesor në kolegjin që bashkëshorti im është pronar” – kishte thënë Dhurata Hoxha.

Ajo në seancë po ashtu shprehi se një ndër arsyet se dëshiron përjashtimin e prokurorit është bindja që tanimë çështja ka kaluar në personale.

“Prokurori ka akuzuar rrejshëm bashkëshortin tim për lidhje shoqërore me gjyqtarin dhe unë tashmë jam bindur që kjo çështje ka kaluar në personale” – kishte deklaruar ajo

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa  po i akuzon se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.