Refuzohet dëgjimi i dëshmitarit në rastin e vrasjes së policëve

Në departamentin special në Gjykatën e Prishtinës u vazhdua gjykimi i të akuzuarve Bedri Krasniqi dhe Alban Dizdari, për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një zyrtari policor të UNMIK-ut.

Në këtë seancë ishte e paraparë të dëgjohej dëshmitari Ramë Zeneli. I ftuar nga Prokuroria, trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për të dëgjuar këtë dëshmitar.

Lidhur me këtë trupi gjykues tha se prokuroria ka dështuar të sigurojë prezencën e të njëjtit në seancë.

Gjatë seancës u vendos edhe për kërkesën e avokatit mbrojtës të të akuzuarit Alban Dizdari, Florent Latifaj.

Avokati kërkoi që Prokuroria të arsyetojë secilën provë të propozuar veç e veç, për të arsyetuar bazën e tyre ligjore, si dhe çka tentohet të dëshmohet me ato prova.

Këtë kërkesë Latifaj e bazoi në faktin se mbrojtja është pajisur me listën e provave ditën e djeshme.

Lidhur me këtë, trupi gjykues pas një konsulte morën vendim që kërkesa e tillë të aprovohet.

“Pas propozimit të mbrojtjes të cilin trupi e pranon, meqë kemi të bëjmë me një aktakuzë e cila fillimisht nuk e ka pasur listën e provave, pasi që është bërë ky listim arsyetimi i aktakuzës ka mangësi sa i përket elaborimit të provave. Për këtë arsye trupi gjykues është dakord të marrë aktvendim. Obligohet prokurori i çështjes që gjatë leximit të provave të arsyetojë një nga një se çka vërteton secila provë, dhe pastaj i jepet mundësia mbrojtjes që të kundërshtoj arsyetimet e prokurorisë”, tha kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.

Kështu, Prokuroria u obligua që të përgatitë arsyetimin dhe ta dorëzojë në gjykatë më së largu më datën 27 prill të këtij viti.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datën 2 maj 2023.

Të akuzuar tjerë për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga Gjykata Supreme në shtator 2017, të njëjtit ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, P.E., dhe zyrtarin policor të Kosovës, A. R., të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës B. M. dhe përkthyesi i UNMIK-ut R. Z., kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK