Refuzohet akuza ndaj Xhavit Halitit si shkak i vjetërsimit të lëndës për rastin e sulmit ndaj Arben Gashit
Xhavit Halitit i është refuzuar akuza për sulm ndaj deputetit Arben Gashi më 18.05.2018, në Kuvendin e Kosovës, për shkak të vjetërsimit të lëndës.
Haliti ishte dënuar nga themelorja më 1 mijë euro dënim me gjobë më 22.01.2024, për veprimet që sipas prokurorisë, Haliti i kishte kryer me dashje duke e shtyrë me krah dhe bërryl deputetin Arben Gashin në pjesën e gjoksit.
Ndërsa lënda Apelit sipas vendimit të Gjykatës, ishte dërguar në shkallë të dytë më 08.04.2024.
“NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë 22.01.2024, ashtu që Gjykata e Apelit e Kosovës ndaj të akuzuarit Xh. H. , për veprën penale Sulmi, për të cilën është shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë e refuzon akuzën në kuptim për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale”- thuhet në vendimin e Apelit.
Refuzimi i akuzës për Halitin ka ardhë për shkakun e vjetërsimit të lëndës, tejkalimit të të gjitha afateve për ndjekje penale, meqenëse vepra sipas prokurorisë është kryer më 18.05.2018, ndërsa vepra dënohej me gjobë ose me dënim me burgim deri në tri vite, kur maksimumit të dënimit i shtohen edhe tri vite rezulton se nga koha kur është kryer vepra penale kanë kaluar plotë 6 vite, duke marrë për bazë faktin se tashmë ndodhemi në gushtin e vitit 2024 i bie që ka kaluar dyfishi i kohës i ndjekjes penale.
“Nga shkresat e lëndës, rezulton se vepra penale nga i akuzuari është kryer më datë 18.05.2018, kurse afati i parashkrimit të ndjekjes penale fillon të rrjedhë nga data kur është kryer vepra penale. Në rastin konkret duke pasur parasysh se nga koha e kryerjes së veprës penale, ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, prej kohës së kryerjes së veprës penale e deri në ditën e mbajtjes së seancës me dt. 21.05.2024, kanë kaluar më shumë se 6 (gjashtë) vite” – thotë vendimi i Apelit.
Vendimi i Themelores për ta dënuar Xhavit Halitiin ishte marrë më 22.01.2024, mbi këtë bazë palët kanë paraqitur ankesat e tyre kundër vendimit të Themelores, ndërsa lënda në Gjykatën e Shkallës së dytë ka ardhur pikërisht me datë 08.04.2024, për të dhënë përgjigje Prokuroria e Apelit në ankesën që kishte parashtruar mbrojtësi i Halitit.
“Lënda e lartcekur penale në Gjykatën e Apelit ka arritur me datë 08.04.2024, për marrjen e mendimit në Prokurorinë e Apelit lidhur me ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit është dorëzuar me datë 11.04.2024, nga Prokuroria e Apelit me mendim është kthyer me datë 16.04.2024, është dërgua prapë për mendim në Prokurorin e Apelit lidhur me ankesën e të akuzuarit dhe nga Prokuroria e Apelit me mendim është kthyer me datë 03.05.2024, gjyqtarit të çështjes lënda iu është dorëzuar në punë me datë 15.05.2024, 3 (tre) ditë para arritjes së afatit të parashkrimit absolut” – thuhet tutje në arsyetimin e Apelit të datës 12.06.2024.
Kundër vendimit të Themelores i marrë nga Gjyqtari, Driton Berisha, ankesë kanë paraqitur Xhavit Haliti, avokati i tij si dhe Prokuroria, por meqë lënda është parashkruar, nuk është lëshuar në shqyrtim të ankesave.
“Ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit dhe ajo e të akuzuarit janë jo lëndore”- thotë vendimi i shkallës së dytë i nxjerrë nga Zyhdi Haziri – kryetar i kolegjit, Ferit Osmani dhe Abdullah Ahmeti – anëtarë.
Dosja e prokurorisë përshkruan se Haliti me dashje e kishte shtyrë me krah dhe bërryl – në gjoks Gashin, duke kryer kështu veprën penale sulmi.
Për këtë rast, Xhavit Haliti kishte thënë se procesi ndaj tij kishte synim ta eleminojnë atë nga politika.
“Ata që edhe herën e kalume…, edhe procesi kur ka filluar të më eliminojnë nga mundësia për t’u zgjedhur deputet, përkatësisht për të marrë pjesë në garë, ka qenë një akt i kombinuar dhe organizuar edhe nga politika dhe kryepokurori i shtetit…tjerët ata që e kanë urdhëruar kryeprokurorin e shtetit”- kishte thënë Haliti në fjalën e tij përfundimtare.
Alarmin për parashkrimin e lëndës e kishte dhënë avokati që mbron deputetin e LDK-së Arben Gashin, Ahmet Tahiri. Tahiri kishte thënë se kjo lëndë qëllimisht po zvarritet me qëllimin që të parashkruhej.
Në këtë rast ishte i përfshirë edhe ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, që ngarkohej se e kishte kanosur deputetin e LDK-së, Arben Gashi.
Sipas dosjes së prokurorisë, Dreshaj i kishte thënë Gashit “kom me ta prishë ftyrën” duke i shkaktuar këtij të fundit frikë dhe ankth, duke kryer kështu veprën penale kanosje.
Prokuroria përmes aktakuzës me urdhër ndëshkimor kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit. Për secilin ishte shqiptuar gjobë në vlerë 1,250 euro.
Dreshaj nuk e kishte kundërshtuar gjobën e shqiptuar nga gjykata ndërsa mbrojtja e Halitit e kishte kundërshtuar dënimin.
Me këtë rast shqyrtimi gjyqësor kishte vazhduar vetëm ndaj Xhavit Halitit.