Refuzohen rreth 9 mijë zarfe me fletëvotime të mërgatës

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se është duke vazhduar procesi i vlerësimit të 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime nga jashtë.

Elezi ka bërë të ditur se deri më tani janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime ndërsa rreth 9 mijë të tjera janë refuzuar.

“Deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, që siç e dini brenda një pakoje mund të ketë më shumë se një zarf me fletëvotime. Pas vlerësimit janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzur 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime”, tha ai.

Tutje, zëdhënësi i KQZ-së, ka shtuar se arsyet e refuzimit janë të ndryshme.

“Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor), apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide”, tha ai.