FOTO: VOA
Refugjatët kthehen në Siri, derisa qeverinë e përkohshme e pret një mal sfidash
Ala Jabeeri ka qarë derisa po bëhej gati të kalonte kufirin nga Turqia në Siri me të bijën e tij dhjetëvjeçare, trembëdhjetë vjet pasi lufta e kishte detyruar t’ia kthente shpinën shtëpisë së tij. Ai është kthyer pa gruan dhe tre fëmijët e tjerë, të cilët vdiqën në tërmetin shkatërrimtar që goditi vjet rajonin.
“Dashtë Zoti gjërat të shkojnë më mirë se nën Qeverinë e Assadit. Tashmë e kemi parë se represioni i tij ka marrë fund”, ka thënë Jabeeri për agjencinë e lajmeve Reuters. “Arsyeja më e rëndësishme për kthimin tim është se nëna jeton në Latakia. Ajo mund të kujdeset për të bijën time derisa unë mund të punoj”.
Refugjatët nga lufta civile e Sirisë po kthehen në vendlindjet e tyre, derisa kryeministri i ri i përkohshëm ka thënë se është emëruar me mbështetjen e kryengritësve që rrëzuan presidentit Bashar al-Assad të dielën.
Zyrtarët amerikanë, të përfshirë në diskutime me kryengritësit të prirë prej HTS-së, u kanë kërkuar atyre që të mos e marrin si të mirëqenë lidershipin e vendit, por që të marrin përsipër krijimin e një procesi gjithëpërfshirës të udhëheqjes për formimin e një qeverie transitore.
Qeveria e re duhet të “zbatojë zotimet e qartë për respektimin e plotë të të drejtave të pakicave, të lehtësojë qarkullimin e ndihmave humanitare për njerëzit në nevojë, të parandalojë rrëshqitjen e Sirisë në një bazë për terrorizëm ose që përbën kërcënim për fqinjët e saj”, ka deklaruar sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
HTS-ja është një organizatë kryengritëse që dikur kishte lidhje me “Al-Qaedan”, dhe i kishte prirë revoltës kundër regjimit të Assadit.
Në një adresim të shkurtër për televizionin kombëtar të martën, Mohammed al-Bashir, një figurë pak e njohur në Siri, ka thënë se qeveria e përkohshme do të ketë autoritet deri më 1 mars.
Rindërtimi i Sirisë do të jetë një detyrë kolosale pas luftës së gjatë civile që la qindra mija sirianë të vdekur. Qytete të tëra janë bombarduar dhe hise të mëdha të territorit janë shkatërruar. Miliona sirianë ende jetojnë nëpër kampe me tenda najloni.
Vendet europiane kanë stopuar procesimin e kërkesave të sirianëve për azil, derisa shumë refugjatë nga Turqia dhe vende të tjera kanë nisur të kthehen në vend. Bankat e Damaskut janë rihapur të martën për herë të parë pas rënies së regjimit të Assadit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com