Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Referendumi i Serbisë, PDK - Kurtit: Nuk ke pse fshihesh pas seancës së Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e partitë së tij për të mos marr pjesë në seancën e sotme të Kuvendit në lidhje me referendumin e Serbisë.

Krasniqi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit”.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit serb të dielën në Kosovë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë këtë të drejtë ta shfrytëzojnë përmes dy opsioneve: përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë

Edhe opozita po e përkrahë qëndrimin e Qeverisë.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka theksuar se qëndrimi i Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë është i drejtë.

Ai ka shtuar se nuk ka arsye që për këtë çështje të mblidhet Kuvendi i Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare i kanë shprehur qëndrimet e tyre që janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë. Andaj, çfarë arsye ka që të mbledhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi?”, ka shkruar ai në Facebook.

“Nëse ky është qëllimi, atëherë Kryeministri po frikësohet. Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme?”, ka shtuar ai.

Sipas Krasniqit, referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar.

“Por, Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo Rezolutat e Kuvendit, që nuk janë obligative as për Qeverinë.  Prandaj, PDK sot nuk merr pjesë në seancë, sepse nuk duam që të bëhemi pjesë e ikjes së Kryeminstrit nga përgjegjësia e tij ligjore e kushtetuese e as pjesë e shout të tij politik të paramenduar”, thuhet në publikimin e tij.

Krasniqi ka shtuar se “krejt çka duhet të bëjë Kryeministri është që të mos tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të sigurojë zbatimin e vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai për këto veprime e ka mbështetjen edhe të partive opozitare, andaj nuk ka nevojë të fshihet pas seancës së sotme të Kuvendit”.

Përkundër PDK-së, AAK do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, ndërkaq nga LDK ende nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë zyrtarë të LDK, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot pasdite në seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, pas kërkesave që të mbahet referendumi i Serbisë në Kosovë.

Seanca është thirrur të nis nga ora 14:00.

“Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për thirrjen e seancës.

Sipas ekzekutivit, diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e referendumit.

Referendumi serb ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.