Kryeministri Albin Kurti, 14 janar 2022, Foto: KALLXO.com

Referendumi i Serbisë në Kosovë, Kurti paralajmëron seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë mbajtur një takim me ambasdorët e vendeve të QUINT-it, pas kërkesave për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë këtë të diel.

Pas takimit, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të shtunën në orën 14:00.

“Pas këtij takimi, Presidenca, Qeveria dhe Kryeparlamentari do të dalim me një deklaratë të përbashkët për shtyp dhe pas kësaj do të mund t’ju përgjigjemi pyetjeve të juaja që i keni, ndërkaq unë po shkoj në kryeministri në mënyrë që të përgatisë thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër në orën 14:00”, tha Kurti.

 

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë për të marrë pjesë qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

Të dielën më 16 janar, në Serbi mbahet një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë këtë të drejtë ta shfrytëzojnë përmes dy opsioneve: përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë

Ndërsa Serbia, kërkon që ky referendum të mbahet ashtu siç janë mbajtur zgjedhjet e parlamentare të Serbisë më 21 qershor të vitit 2020, mbajtjen e të cilave e kishte lejuar qeveria e Kosovës.

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i lejojë qytetarët serb që të votojnë në referendumin e së dielës në një proces të organizuar nga OSBE.