Referendum në Zvicër, ndalohet burka dhe nikabi

Zvicra ka votuar për ndalimin e mbulesave të fytyrës në publik, duke përfshirë burkën ose nikabin e veshur nga gratë myslimane.

Rezultatet zyrtare treguan se masa kishte kaluar me 51.2% në referendumin e së dielës.

Propozimi u paraqit nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë e cila bëri fushatë me parulla të tilla si “Stop ekstremizmit”.

Një grup kryesor islamik zviceran tha se ishte “një ditë e errët” për myslimanët, transmeton rtv21.tv.

“Vendimi i sotëm hap plagë të vjetra, zgjeron më tej parimin e pabarazisë ligjore dhe i dërgon një sinjal të qartë përjashtimit pakicës myslimane”, tha Këshilli Qendror i Myslimanëve në një deklaratë, duke shtuar se do të kundërshtonte vendimin në gjykatë.

Qeveria Zvicerane kishte argumentuar kundër ndalimit duke thënë se nuk i takonte shtetit të diktonte atë që veshin gratë. Sipas hulumtimit nga Universiteti i Lucernit, pothuajse askush në Zvicër nuk mban burka dhe vetëm rreth 30 gra mbajnë nikab.

Rreth 5% e popullsisë së Zvicrës prej 8.6 milionë njerëz janë myslimanë, shumica me origjinë nga Turqia, Bosnja dhe Kosova, raporton BBC.

Nuk është hera e parë që Islami merr pjesë në një referendum në Zvicër. Në vitin 2009 qytetarët shkuan kundër këshillës së qeverisë dhe votuan për të ndaluar ndërtimin e minareve një propozim i paraqitur gjithashtu nga SVP i cili tha se minaret ishin një shenjë e islamizimit.

Propozimi në referendumin e së dielës nuk e përmendi Islamin drejtpërdrejt dhe kishte për qëllim gjithashtu të ndalonte protestuesit e dhunshëm të rrugës të mbanin maska. Sidoqoftë, votimi u referua gjerësisht si “ndalimi i burkës”./21Media