Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Reduktimin e prodhimit të patentë shoferëve, MPB e lidh me krizën e shkaktuar nga COVID-19 dhe lufta në Ukrainë

Kapacitetet e prodhimit të patentë shoferëve janë reduktuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndonëse ky proces ende është duke vazhduar.

Kështu është thënë në disa përgjigje për KALLXO.com nga ana e MPB-së.

“Procesi i prodhimit të patentë shoferëve është duke vazhduar, dhe qytetarët janë duke u pajisur me patentë shoferë, mirëpo kemi një reduktim/zvogëlim të kapaciteteve prodhuese”- thuhet në këto përgjigje.

Një veprim i tillë është thënë se është marr si masë preventive ndaj vështirësive në furnizim me dokumente sipas planifikimeve e cila ka ardhur si pasojë e gjendjes së përgjithshme.

Në këtë gjendje të cekur nga MPB-ja është përfshirë kriza globale e shkaktuar nga Pandemia Covid-19 dhe Lufta në Ukrainë.

Për këtë problem, MPB ka thënë se është e përkushtuar për zgjidhjen e kësaj çështje sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Tutje, nga ana e kësaj Ministrie është treguar se vetëm gjatë javës së 38-të janë prodhuar me shumë se 1000 patentë-shoferë.