Reduktimet e ujit do ashpërsohen, nëse vijon keqpërdorimi i tij
Reduktimet e ujit janë një nga problemet me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës, dhe jo vetëm.
KALLXO.com vazhdimisht pranon ankesa për këtë çështje. Për këtë problem zëdhënësja e Kompanisë Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, e pranon problemin duke thënë se arsyeja e reduktimeve të shumta, është e thjeshtë: Ka keqpërdorim të ujit të pijshëm nga qytetarët.
“Uji i pijshëm po keqpërdoret në masë të madhe dhe forma të ndryshme dhe më të theksuara janë zonat rurale dhe periferike të qytetit”, ka thënë Mjeku për KALLXO.com.
Ajo shton se janë me qindra raste të identifikuara që keqpërdorin ujin, madje disa prej tyre janë në paditur.
“Dhjetëra prej tyre tashmë do të ballafaqohen me Ligjin, për shkak që vjedhja apo keqpërdorimi i ujit konsiderohen vepër penale”, thotë Mjeku.
Nga “KRU Prishtina” planifikojnë reduktime të ujit deri në fillim të muajit shtator, me kushtin që uji ndalon së keqpërdoruari apo edhe nëse ulen paksa temperaturat në vendin tonë, përndryshe masa reduktuese do jetë në funksion.
“Në moment që bien temperaturat vërehet qartë që, uji menjëherë u shkon të gjithë konsumatorëve por si të ngritën temperaturat, pikat e larta furnizuese kanë problem me furnizim, pavarësisht që kapacitetet prodhuese janë gjithnjë maksimale”, ka theksuar Mjeku, duke aluduar se gjatë kohës kur për disa ditë mbajnë temperatura më të larta e s’ka reshje, uji nga ujësjellësi përdorët për ujitje.
“KRU Prishtina” ka bërë kërkesë dhe ka njoftuar Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit për reduktimet e planifikuara për muajin korrik dhe gusht.