Reduktime të ujit në disa zona në Prishtinë, shkak turbullira në kanalin e Ibër Lepencit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të shiut dhe vërshimeve në disa zona të vendit, ka rritje të sërishme të turbullirës në kanalin e Ibrit.

KRU ka deklaruar se me qëllim që të ruhet kualiteti i ujit për pije, dhe ruajtja e pajisjeve teknologjike, janë të detyruar që sërish të zvogëlojnë në minimum prodhimin e ujit nga Impianti i Trajtimit të Ujit në Shkabaj.

Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: Bregu i Diellit, Banesat e Bardha, Mati 1, Zllatari, Kolovica, Sofalia, Tasligje, Ulpiana, Kodra e Trimave, Arbëria, Lagjja e Spitalit, Lagjja e Universitetit, Konviktet, Hajvalia, Graçanica dhe Veterniku.

Ndërsa duke filluar nga ora 12:00-16:00, reduktime të ujit do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, Dardania , Lakrishtja, Lagjja Pejton dhe Kalabria.

Ndërsa, me reduktime nga ora 11:00-17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë.

Sipas tyre, kjo po realizohet për t’iu mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit!