Muhamet Bilalli, Foto: KALLXO.com

Reçaku 23 vite pas, dëshmitari rrëfen për masakrën

Muhamet Bilalli ishte 34-vjeçar kur me sytë e tij pa njërën prej masakrave më të mëdha të kryer nga forcat serbe.

Njerëz pa kokë e me organe të nxjerra jashtë ishin parë një ditë pas masakrës nga njerëzit e fshatit Reçak të Shtimes.

Në një rrëfim në emisionin “Kallxo Përnime”, Bilalli thotë se nuk do ta besonte asnjëherë se një njeriu mund ta kryente atë krim.

“Më 15 janar 1999 unë jam kanë te ajo që, quhet pjesa e poshtme e fshatit Reçak, rrafshi i zabelit apo Korrkova. Atë ditë në fshat ka qenë problematike me pa se çfarë po ndodh, se ka pasë shumë banorë nëpër shtëpia, por atë ditë u bë një rrethim i hekurt e nuk kemi mujtë shumë me levizë. Më 15-in kemi pa shumë pak, diku rreth 70 metra distancë i kemi pasë policinë serbe”, rrëfen dëshmitari i masakrës së Reçakut.

“Viktimat, të gjithë i kam pa me datën 16 janar. Në Kodrën e Bebushit, siç njihet, atje i kam pa të gjitha. Atë ditë çfarë kam pa, nuk ma kish marrë mendja, nëse nuk do të isha vetë dëshmitar, nuk kisha besu që ekziton një njeri në këtë botë që mund ta bënte atë”, kujton Bilalli pas 23 viteve prej kur ndodhi masakra.

Ato që ka parë, ai thotë se nuk do t’i harrojë.

“Është quajtur krim ajo, por për mua ka qenë gjenocid. Prej viktimës së parë që e kam pa, Banush Azemi, ka qenë njeri pa kokë, ishte trishtim ta shihje ashtu e në fund të asaj lugine ka qenë Ragip Bajrami, i cili ka qenë me organe të nxjerra, zemrën. Nëse nuk e kisha vërtetu vetë, nuk e kisha besu asnjëherë”, deklaron ai.

Viktimat e kësaj masakre ishin të moshave të ndryshme. Bilalli thotë se ditën e masakrës iu vra vëllai dhe iu plagos një tjetër së bashku me babanë e tij.

“Viktima më e re ka qenë 13-vjeç e më e vjetra 90-vjeç. Unë atë ditë e kam pasë vëllanë e vrarë, babanë të plagosur dhe vëllanë të plagosur. Unë atë kohë kam qenë 34-vjeçar. Vëllanë e vrarë e kam gjetë te Kodra e Bebushit”, thotë ai.