![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2019/10/Njerëzit-shikojnë-tymin-e-shkaktuar-nga-ofensiva-e-Turqisë-në-qytetin-sirian-Rasa-l-Ain.-695x310.jpg)
(Arkiv)
Rebelët sirianë avancojnë drejt Homsit, teksa takohen Rusia, Turqia dhe Irani
Rebelët në Siri është raportuar se kanë avancuar drejt qendrës së qytetit të Homsit më 7 dhjetor, teksa Rusia, Irani dhe Turqia janë takuar dhe kanë diskutuar për sfidën më serioze me të cilën është përballur vitet e fundit sundimi autoritar i presidentit Bashar al-Assad.
Forcat qeveritare dhe aleatët e tyre rusë kanë vazhduar përpjekjet për të ndalur ofensivën e rebelëve drejt Homsit, i cili gjendet në një udhëkryq strategjik mes Damaskut dhe provincave bregdetare të Sirisë, Latakia dhe Tartus. Homs gjendet 140 kilometra nga kryeqyteti.
Rusia, trupat e të cilës mbështesin forcat e Assadit, raportohet se ka intensifikuar sulmet ajrore përreth Homsit, në një përpjekje të dukshme për të ndalur përparimin e rebelëve, raportoi Al-Arabiya, media në pronësi saudite. Ushtria siriane po ashtu raportohet se ka dërguar përforcime në Homs, sipas Al-Arabiya dhe Al-Jazeera.
Dëshmitarët dhe burimet nga ushtria kanë thënë për agjencinë Reuters se disa rebelë kanë hyrë në Homs, teksa forcat qeveritare forcuan mbrojtjen e qytetit që ka 775.000 banorë, edhe pse këto raportime nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Pas takimit në Doha të Katarit, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Turqisë bënë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të të gjitha armiqësive në Siri.
Lavrov po ashtu tha – duke iu referuar rebelëve islamistë të Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – se ishte “e papranueshme që të lejohen grupet terroriste” që të marrin kontrollin e territorit sirian dhe se Rusia do t’i kundërshtojë ata me të gjitha mjetet e mundshme.
Provinca Homs është provinca me territorin më të madh në Siri dhe gjendet pranë kufirit me Libanin, Irakun dhe Jordaninë. Qyteti po ashtu është shtëpi e një nga dy rafinerive shtetërore të naftës.
Agjencia e lajmeve AFP, duke cituar burime të sigurisë, tha se qindra trupa qeveritare siriane, disa të plagosur, kanë kaluar kufirin për në Irak.
Ofensiva befasuese e rebelëve nisi javën e kaluar nga një koalicion i grupeve të rebelëve, që udhëhiqet nga fraksioni islamist, Hayat Tahrir al-Sham apo HTS.
HTS-ja është e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.
Përveç HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia mohon se mbështet ofensivën, edhe pse ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë me bazë në Britani – që monitoron luftën, tha se civilët po ikin nga Homsi drejt rajoneve bregdetare në Mesme, në Latakia dhe Tartus, që janë bastione të Qeverisë dhe vende ku gjenden baza ajrore dhe detare e Rusisë.
Lavrovi nuk pranoi të komentojë për fatin e bazave ruse dhe tha se “nuk është në interesin e situatës që të hamendësojmë”.
Më 6 dhjetor, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona mund të detyrohen të zhvendosen, teksa rebelët po avancojnë dhe po i shkaktojnë humbje Assadit, por edhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.
Assadi është varur nga Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet që kur shpërtheu konflikti më 2011.
Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata morën edhe një qytet tjetër të madh, teksa forcat e Asadit bënë pak rezistencë.
Përveç që morën Alepon në veri, Haman në Sirinë Qendrore dhe Deir al-Zorin në lindje, rebelët po ashtu më 6 dhjetor thanë se kanë marrë edhe Suveidan dhe Deran në jug, teksa kanë postuar video duke festuar marrjen e këtyre qyteteve.
Marrja e Deras dhe Suveidas në jug, mund t’i lejojë rebelëve që të përqendrojnë sulmin e tyre ndaj kryeqytetit, ku gjendet pushteti i Asadit, thanë burimet ushtarake.
Videot e publikuara online kanë shfaqur protestues në Xharamana, në periferi të Damaskut, duke brohoritur dhe duke rrëzuar një statujë të babait të Assadit, Hafez al-Assad, i cili sundoi me Sirinë nga viti 1971 deri në vdekjen e tij më 2000, kur i biri më pas e mori pushtetin.
Lideri i HTS-së, Abu Mohammad al-Golani, tha për CNN-in më 5 dhjetor se Qeveria e Assadit, që mbështetet nga Rusia dhe Irani, do të bjerë.
“Farat e humbjes së regjimit kanë qenë gjithmonë brenda tij”, tha ai. “Por, e vërteta është se ky regjim ka vdekur”.
Teksa rebelët po vazhdojnë avancimin e tyre, diplomatët nga Irani, Rusia dhe Turqia pritet të takohen më vonë gjatë 7 dhjetorit për të diskutuar për krizën/RadioEvropaeLirë/.