Fushë Kosova. Pamje nga droni: BIRN
Realizimi i premtimeve të Burim Berishës për sigurinë publike në Fushë Kosovë
Në kërkim të mandatit të pestë, Burim Berisha, kishte folur për planet e tij në sigurinë publike në Fushë Kosovë.
Larg dukurive negative në komunitet, Berisha thoshte në Debat Pernime se po mundohen që të rinjt t’i orientojnë kah sporti.
Krahas kësaj, ai deklaronte së vetëm gjashtë katër viteve të fundit i kanë ndërtuar nën fusha të sportit.
“Ne kemi ndërtuar shumë salla sporti diku 15-16 salla janë në ndërtim dhe janë ndërtu, vec katër viteve të fundit janë nëntë, ka qendra rekreative, kemi ndërtuar shumë fusha sporti, jemi mundu me i orientu kah sporti” – ka deklaruar Burim Berisha.
Komunën të cilën e ka drejtuar për rreth dy dekada, ai thotë se është vend i sigurt.
“Se nuk kemi ndonjë ekstremizëm dhe epitet të tillë në komunën e Fushë Kosovës është se nuk kemi pasur asnjë të dënuar as të shkuar në luftrat në Lindje, as nuk kemi vrasje, me vite ka mbi 15 mijë të punësuar, është një vend shumë dinamik dhe ka shumë mundësi për gjërë të tilla por policia, komuna, qytetarët e bëjnë që të jetë një vend i sigurt. Fushë Kosova është vend i sigurt” – kishte deklaruar Berisha.
Pas nëntë muajve qeverisje të re, KALLXO.com ka kërkuar raportin nga Komuna e Fushë Kosovës në lidhje me sigurinë publike.
Shefi i kabinetit të kryetarit Berisha, Ali Topalli ka thënë për KALLXO.com se infrastukturën sportive në të gjithë territorin e Fushë Kosovës e kanë të mbulur.
Topalli deklaroi se në proces kanë dy fusha sportive në fshatin Bardh i Madhë dhe në Harilaq.
“Infrastrukturën sportive në të gjithë terriorit të Fushë Kosovës e kemi të mbuluar. Të gjitha lokalitetet, vendbanimet në komunën e Fushë Kosovës, duke përfshirë edhe qytetin kemi salla të sportit. Kemi edhe terrene sportive nëpër hapësira të ndryshme publike duke përfshirë edhe oborret e shkollave. Në procesin e ndërtimit, i kemi edhe dy terrene tjera sportive që i kemi në fshatin Bardh të Madhë dhe në Harilaq” – ka thënë Topalli.
“Këto janë në fazen e parë të ndërtimit, pasi që dihet se Organi Shqyrtues të Prokurimit që nuk ka funksionuar që disa vite, janë probleme të qeverisë ato. Por edhe këto të dyja presim që të kryhen brenda këtij mandati. Nuk varet krejt nga ne, unë po them prapë, ne kemi pritë që do të lejohen mjetet nga qeveria për projekte kapitale. Faza e parë të ndërtimit të këtyre sallave ka përfunduar” – u shpreh tutje ai.
Sipas të dhënave në e-prokurim, Komuna e Fushë Kosovës ka hapur tender më 9 shtator 2022 për ndërtimin e një palestre sportive edhe në Sllatinë të Vogel.
Ndërkaq, ai thotë se çështjen e ekstremizimit në këtë Komunë nuk e kanë “shumë të evidentuar”. Sipas tij, aktivitetin e fundit që kanë mbajtur në këtë aspekt ka qenë para pandemisë.
“Cështjen e ekstremizimit në Fushë Kosovë nuk e kemi shumë të evidentuar, nuk është shumë i theksuar, nuk kemi pasur ndonjë rast që është dashur të merremi drejtpërdrejt me të, por ne kemi këshillin komunal për siguri në bashkësi, kemi kontakte të përhershme me Policinë e Kosovës dhe sigurisht që po të kishim do të mirreshim, vetëm para pandemisë kemi organizuar tryeza me inspektoratin e policisë së Kosovës dhe me shoqërinë civile bashkë edhe me akter fetar, nuk kemi pas më aktivitete të tilla” – u shpreh Topalli.
Më 26 shtator 2022, Komuna e Fushë Kosovës ka nënshkruar kontratë vendosjen e kamerave për të rritur nivelin e sigurisë nëpër vendbanimet dhe shkollat e Komunës së Fushë Kosovës.
Tenderi i është dhënë një kompanie me çmimin 77,499 euro. Sipas dosjes së tenderit, 177 copa do të jenë kamera të jashtme dhe 135 copa kamerat të brendshme.
Duke kontribuuar në sigurinë publike, Komuna e Fushë Kosovës më 7 korrik 2022 ka dhënë tender për vendosjen e ndriçimit publik.
Në anën tjetër, sipas të dhënave, Fushë Kosova e ka të themeluar Këshillin e Veprimit Rinor Lokal që nga viti 2014 por tashmë nuk është funksionale. Nga kjo komunë kishin thënë për KALLXO.com se zyra për të rinjë ka formuar grupin inicues për rifunksionalizimin në KVRL-së dhe pritet të themelohet shumë shpejtë.
Po ashtu, siç tregon Topalli, Komuna e Fushë Kosovës nuk ka as qendër rinore.
Por ai shton se kanë ndihmuar në vazhdimësi organizata rinore me subvencione.
“Kemi ndarë me mijëra euro për organizatat joqeveritare në këtë rast për organizata rinore, nga subvencionet, këtë e bëjmë në vazhdimësi, nga viti në vit janë përfitues shumë organizata përmes projekteve ku edhe i realizojnë objektivat e veta. Fushë Kosova nuk ka qendër rinore, e ka një qendër por që nuk i plotëson krejt standartët, pasi është një objekt i vjetër, por kemi edhe hapësira të tjera përreth duke përfshirë edhe të shkollave të cilat janë të disponueshme, edhe në qytet edhe nëpër fshatra” – ka thënë Topalli.
Më 16 shkurt 2022, Komuna e Fushë Kosovës ka hapur thirrje për mbështjetje financiare për projekte-propozimet në fushat e kutlurës, rinisë dhe sportit; organizatave jo-qeveritare, klubeve, festival e manifestime kulturore, muzikë, botime, kinematografi dhe indiviadëve-sportistëve.
Vlera totale e planfikuar për thirrje publike është në shumën prej 80 mijë euro.
Shuma minimale e mbështjetjes është 500 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt ëshë 500 mijë euro.