Realizimi i premtimeve për sigurinë publike në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, kishte premtuar se për parandalimin e dukurive radikale në komunën e tij, do të ofronte më shumë mundësi për biznes, sport dhe rekreacion.

Gjatë debatit për zgjedhjet komunale të vitit 2021, në ‘Debat Përnime’ kur ishte pyetur për sigurinë publike e ekstremizmin, Totaj kishte thënë se është e rëndësishme që në institucionet ku komuna ka kompetencë të vendosen persona profesional, e jo politik.

“Do të ofrojmë mundësi për biznes, mundësi për sport, mundësi për rekreacion por nëse vjen deri të dukuritë e tilla duhet bashkëpunuar me institucionet përkatëse të cilat merren me parandalimin e këtyre gjërave, por është e rëndësishme që në institucionet ku komuna ka kompetencë të vendos persona të duhur profesional dhe jo njerëz politik” – kishte premtuar Totaj.

Kur jemi të sporti, Shaqir Totaj kur e mori mandatin është akuzuar nga tifozët e qytetit se e ka politizuar klubin e basketbollit ‘Bashkimi’, përmes kryetarit të këtij klubi.

Më 27 shtator, Komuna e Prizrenit ka hapur thirrjen për përkahje me subvencione për organizata joqeveritare në kulturë, rini e sport me vlerë totale 100 mijë euro.

Ndërsa nga data 21 tetor e deri më 10 nëntor 2022 është e hapur thirrja për mbështetje financiare për OJQ-të në fushën e shërbimeve sociale, për të implementuar projektet e tyre.

Më 13 tetor, janë shpallur fitues të grantit ‘Mbështetja e ndërmarrësve të rinjë/start-up në Komunën e Prizrenit’, 14 përfitues, 11 vajza dhe 3 djem. Ky grant ka për synim që të rinjë të jenë në gjendje të fillojnë me implementimin e ideve të tyre.

Zëdhënësja e Komunës, Jona Hoxhaj, për KALLXO.com ka thënë se prej që është zgjedhur Totaj kryetar, Komuna nuk ka organizuar ndonjë aktivitet që ndërlidhet me temën e ekstremizmit.

“Prej se është zgjedhur Kryetari Shaqir Totaj, por edhe para tij, në Komunën e Prizrenit nuk ka pasur ndonjë aktivitet që ndërlidhet me ekstremizmin e dhunshëm dhe deri më tani nuk kemi asnjë rast apo person që është kthyer nga vendet ku janë zhvilluar luftërat” – ka thënë ajo.

Totaj kishte premtuar për ndërtimin e sallës së edukatës fizike ‘Haziz Tola’.

“Salla e edukatës fizike ‘Haziz Tola’ nëse është projekt në vijim, do të kryhet në vitin e parë, kurse kjo pjesa tjetër fillon menjëherë pas marrjes së mandatit dhe në vazhdim”- kishte thënë ai në debatin zgjedhor.

Ndërsa zëdhënësja Hoxhaj ka thënë se ndërtimi i kësaj salle është planifikuar për buxhetin e vitit 2023, por që nuk ka dhënë informacion se sa do të kushtojë ndërtimi i saj.

Zëdhënësja Jona Hoxhaj thotë se në përgjithësi në Prizren kanë mungesë të psikologëve nëpër shkollat e qytetit.

“Në përgjithësi situata është e qetë dhe stabile, nuk ka ndonjë indikator për prishje të rendit dhe qetësisë. Por që në raport me numrin e nxënësve, ne kemi mungesë të psikologëve nëpër shkolla” – ka thënë Hoxhaj.

Gjithashtu, për konkursin për sekretar të shkollave, Totaj u detyrua ta anulojë pasi që zyrtarisht po hetohet nga Prokuroria e Shtetit, nën dyshimin ndaj Komisionit përzgjedhës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, në emisionin “Kallxo Përnime” më 13 shtator 2022 kishte paralajmëruar themelimin e një komisionin ekstra që do të monitorojë aktivitetet kulturore sportive dhe rinore të organizatave që kanë marrë subvencione për këto aktivitete.

Morina paralajmëroi se ky komision planifikohet të jetësohet në vitin e ardhshëm.

Sipas tij, që ky komision të formohet në kuadër të mallra dhe shërbimeve.

“Unë mendoj që 70 për qind të aktiviteteve janë të destinuara për parandalimin e ekstremizmit mirëpo ngase këto nuk janë potencuar ekskluzivisht sepse këto parandalojnë ekstremizmin. Duke u nisur nga të gjitha OJQ-të të cilat bëjnë aktivitet edukative e sportive që e parandalojnë.  Unë kam planifiku që vitin që vjen të kemi një komision ekstra, që do ta bëjë monitorimin e të gjitha aktiviteteve kulturore-sportive dhe rinore të cilat do të kenë marrje të subvencioneve apo të cilat do të jenë të subvencionuara nga DKRS-ja. Unë kam planfiku që në kuadër të mallra dhe shërbimeve të bëjmë një ekip, të hapim një tender dhe ajo ekip të jetë ekskluzivisht me monitorimin e këtyre aktiviteteve, ngase ne si Komunë po japim rreth 1 milionë euro subvencione dhe është e pamundur që ti monitorojmë pasi mungon stafi. Ne kemi planifikuar që të kemi zyrtarë shtesë, është pamundur që tre zyrtarë të jenë edhe në terren e në anën tjetër kemi mbi 250 OJQ që ju ndihmojmë në këtë rast” – u shpreh drejtori Morina.