Qyteti i Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Realizimi i premtimeve për sigurinë publike në Lipjan

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, derisa kandidonte për t’u rizgjedhur në këtë pozitë, në debatin zgjedhor për zgjedhjet komunale të vitit 2021, ishte përkujdesur që të mos jap premtime, kur ishte pyetur për sigurinë publike dhe parandalimin e ekstremizmit në komunën e Lipjanit.

Ahmeti në ‘Debat Përnime’ kishte thënë se Ligji për menaxhimin e fatkeqësive determinon, sipas tij, saktësisht përgjegjësitë e komunave dhe ndërton mekanizmat mbi bazë të të cilave ndërtohet plani i veprimit.

“Në kuadër të këtij mekanizmi janë të inkuadruar të gjithë faktorët determinant në kuadër të pushtetit lokal, duke filluar edhe nga bashkësitë fetare, stacioni policor dhe mekanizmat e tjerë që kanë të bëjnë me fenomente të tilla” – thoshte Ahmeti gjatë fushatës.

Tutje, ai kishte thënë se ekstremizmi nuk është një fenomen apo një dukuri vetëm e një komune, por sipas tij, është fenomen shoqëror i shtetit.

“..dhe si dukuri e tillë duhet të trajtohet në nivel vendi, i icli do të duhej më pastaj me e nda përgjegjësitë e përbashkët me organet apo mekanizmat të cilat janë të ndërtuara në komuna, sipas ligjit në fuqi”.

Në ndërkohë, rreth 10 muaj pas rizgjedhjes së Ahmetit në krye të Lipjanit, nga komuna thonë se tema e radikalizmit, ekstremizmit dhe të terrorizmit veçse ka filluar të reduktohet.

Diamant Bytyqi, nënkryetar i komunës, ka thënë se Komuna e Lipjanit nuk ka pasur ndonjë aktivitet të veçantë këtë vit në lidhje me ekstremizmin.

“Përveçse e kemi mbështetur një organizatë të veçantë që ka pasur diskutim rreth ekstremizmit dhe të radikalizmit, por jo vetar, por në përgjithësi si dukuri. Kemi mbështetur si punëtorë ka qenë. Vetëm ky aktivitet ka qenë brenda këtij viti që është organizuar, ne e kemi përkrahur me logjistikë” – ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.

Sipas Bytyqit, në komunën e tij këtë vit nuk ka pasur as të rikther nga luftrat e huaja, ndërsa thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë.

“Mirëpo nuk kemi pasur ndonjë rast që është vërejtur kjo dukuri e ekstremizmit, jo vetëm fetar por edhe ekstermizmat tjerë. Nuk kemi pasur ndonjë rast të ndonjë personi që është identifiku që mundet me qenë i rrezikshëm në këto fenomene si radikalizmi ose terrorizmi”.

Një ndër mekanizmat lokal që kryetari Imri Ahmeti ka përmendur në debat, është Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi (KKSB).

Për këtë, nënkryetari Bytyqi thotë se është funksional dhe sipas tij janë ndër komunat e para që kanë mbajtur katër takime të këtij Këshilli, në këtë vit.

“Ky Këshill funksionon te na mjaft mirë. Pjesë e tij janë përfaqësues të ndryshëm të komuniteteve të ndryshme, akterët kryesorë komunal, përfaqësues të institucionit të komunës, stacionit policor, bashkësive fetare, pastaj edhe të komuniteteve të tjera që jetojnë te ne në komunë. Është një Këshill që para një muaji e kemi mbajtur mbledhjen e katërt, edhe në këtë mbledhje e kemi pasur edhe si temë për radikalizmin që kemi diskutu” – thotë Bytyqi.

 Por Bytyqi shpreh shqetësimin e mungesës së psikologëve nëpër shkollat e komunës.

Nga 30 shkolla fillore dhe të mesme që i ka Lipjani, sipas nënkryetarit Bytyqi, janë vetëm pesë psikologë.

Kjo sipas tij, është sfidë për shkollat dhe arsimin.

“E që është një sfidë shumë e madhe për arsimin, për shkak se në buxhetin e vitit të ardhshëm janë planifikuar reduktime të numrit të punëtorëve në arsim, ndërsa është rritë numri i punëotrëve në sektorin e shëndetësisë. E për neve kjo do të na sjellë vështirësi shumë të madhe, për shkak se nuk mundemi të angazhojmë staf shtesë, as nëpër shkolla e as nëpër vendet ku janë aktualisht duke munguar mësimdhënësit” – ka thënë Bytyqi.

Me 21 tetor në sallën e Kuvendit Komunal të Lipjanit, me organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe në bashkëpunim me Zyrën për të Drejtat e Njeriut në Komunën e Lipjanit, është zhvilluar projekti ‘Gjinia, Paqja dhe Siguria’.

Në këtë diskutim janë paraqitur problemet e shumta që institucionet hasin në parandalimin e dhunës në familje, duke filluar nga kushtet ekonomike, si dhe gjithashtu është parashtruar nevoja për rritjen e komunikimit ndër-institucional me qëllim të parandalimit të dhunës në familje.

Nënkryetari Bytyqi thotë se komunitetet në Lipjan bashkëjetojnë shumë mirë në mes vete. Ai merr shembull fshatin Janjevë.

“Në Janjevë që jetojnë një numër i komuniteteve, siç janë kroat, turqit, ashkalinjtë, romët, shqiptarët domethënë nuk kemi probleme të theksuara që mundemi me i cekë. Mirëpo tash jemi pas një sezone të verës, që ka kaluar tashmë, ku edhe frekuentimi edhe ngarkesa në qytet ka qenë më e madhe, mirëpo tash është një siguri më e mirë një qetësi pothuajse stabile në qytetin tonë” – thotë nënkryetari Diamant Bytyqi.