Reagon VV: Lajm i pavërtetë, Konjufca nuk jep dorëheqje

Mëngjesin e sotëm në disa prej mediave online qarkulluan lajme se Glauk Konjufca do të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit për të mundësuar kështu arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisese mes LVV-së e LDK-së.

Kjo e fundit, javë më parë, në ofertën drejtuar Lëvizje Vetëvendosje, kishin kërkuar lirimin e pozitës së kryetarit të Kuvendit për LDK-në.

Kjo pozitë, do t’i kthehej Vetëvendosjes, në momentin që Kuvendi voton për kandidatin e LDK-së për president në 2021.

Mirëpo, Vetëvendosje nuk e ka pranuar ofertën e LDK-së, duke thënë se “nuk mund të kthehen para 26 dhjetorit”.

Derisa lajmet e mëngjesit të sotëm se Konjufca do të jep dorëheqje i ka përgënjeshtruar Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtari për informim i kësaj partie, Arlind Manxhuka tha për KALLXO.com se Konjufca nuk do të jap dorëheqje.

“Nuk ka të vërtetë asgjë nga ai lajm. Glauk Konjufca nuk jep dorëheqje nga Kryekuvendari”, tha Manxhuka për KALLXO.com.

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, kur u konstitua Kuvendi i Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ‘befasishëm’ nxori kandidaturën e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit. LDK e kishte votuar Konjufcën për kryetar dhe ai kishte marrë besimin e 75 vota deputetëve të Kuvendit të Kosovës.