Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Reagon Vjosa Osmani pas marrëveshjes, falënderon SHBA-të dhe BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes Kosovë- Serbi për dokumentet.

Osmani ka falënderuar ShBA-të dhe Bashkimin Evropian për rolin e tyre në këtë proces.

Ajo tutje ka thënë se Kosova do të vazhdojë pa u ndalur drejt njohjes reciproke.

“Reciprocitet e barazi. Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet. Falënderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për rolin e tyre mbështetës. Do të vazhdojmë  pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke’, ka shkruar Osmani.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- ka shkruar Borrell në Tëitter.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Borrell ka thënë se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

Borrell: Arrihet marrëveshja Kosovë- Serbi për dokumentet