Reagon Thaçi, kërkon heqjen e tarifës sa më parë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka reaguar lidhur me planet për largimin e tarifave për mallrat serbe dhe boshnjake.

Thaçi ka thënë se kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe vendimeve të mençura e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur marrëdhëniet me SHBA-në.

“Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompei dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien”, ka shkruar Thaçi.

Tutje, presidenti i vendit ka thënë se kërkesa e qartë e tij për qeverinë, është që pa humbur kohë të merren vendimet stragjike, që i japin fund izolimit dhe i hapin mundësi dialogut me Serbinë.

“Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike”, ka shkruar Thaçi.

Dje, kryeministri Albin Kurti, përmes një konference për media, tha se ka marrë vendim që nga data 15 mars të hiqet tarifa 100% për lëndën e parë të prodhimit nga Serbia, e nëse shteti serb  reflekton duke ndalur fushatën kundër Kosovës, Kurti tha se do ta heqë tarifën për të gjithë mallrat nga Serbia.

Pas këtij njoftimi ka reaguar menjëherë i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell i cili tha se nuk e pranojnë këtë gjysmë-masë.

Megjithatë, strategjinë e Kurtit e ka mbështetur BE përmes një njoftimi sot.

“Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe po presim të shohim më shumë detaje.Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në kthimin e tregtisë rajonale dhe të ofrojë mundësi për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar prej Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

Albin Kurti: Nga data 15 mars hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia