Foto: KALLXO.com

Reagon Sveçla pas të shtënave në afërsi të patrullës së KFOR-it në Zubin Potok

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas rastit të fundit që ndodhi në Zubin Potok, ku në afërsi të patrullës së KFOR-it ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Sveçla ka thënë se lojërat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe, sipas ministrit, instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë.

Sveçla tha se fillimisht  këta të fundit deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale, por sipas ministrit, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura  nga vetë Vuçiq kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet.

“Barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës” – ka thënë i pari i MPB-së.

Tutje ai tha se Policia e Kosovës do të vazhdojë të luajë rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet dhe se bënë thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijnë pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit.

Në anën tjetër, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka reaguar në lidhje me raportimet për të shtëna me armë zjarri në afërsi të një patrulle të KFOR-it afër Zubin Potokut.

Sipas Rakiqit, situata aktuale në Zubin Potok është absolutisht e qetë dhe njerëzit janë në barrikada dhe janë të vendosur të qëndrojnë.

Në televizionin “Pink”, Rakiq ka mohuar pretendimet se serbët kanë qëlluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

“Informacionet tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. Serbët në veri i respektojnë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë aty në përputhje me Rezolutën 1244” – ka thënë Rakiq.

Edhe KFOR ka reaguar duke thënë se gjatë një patrullimi në afërsi të Zubin Potokut pjesëtarët e misionit kanë dëgjuar dhe parë të shtëna me armë zjarri porse askush nuk është lënduar dhe as automjeti i tyre nuk është dëmtuar.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar lajmet e mediave serbe se policët kanë gjuajtur me armë zjarri.