Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Reagon Sveçla pas arrestimit të zyrtarit policor

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të zyrtarit policor, i cili dyshohet se ka dëmtuar pamjet e kamerave, ku u krye aksioni anti-drogë në Izvor të Zveçanit.

“Për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit, nga Inspektoriati Policor i Kosovës arrestohet një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë – Veri dhe dërgohet në mbajtje”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka thënë se nuk do të ketë tolerancë ndaj krimit “posaqërisht atij brenda rradhëve të policisë! Për polici të pastër në shërbim të ligjit e qytetarëve”.

6 milionë euro është vlera e drogës së sekuestruar dhe 1.5 milion euro është vlera e pajisjeve të shkatërruara nga laboratori i drogës në Izvor, në afërsi të kufirit me Serbinë, gjatë aksionit që është realizuar dje nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

Në Izvor është zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës, në të cilin janë gjetur mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.

Dyshohet se dëmtoi pamjet e kamerave ku u krye aksioni anti-drogë në veri, arrestohet një zyrtar policor