Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagon Sokol Haliti: Organet e hetuesisë të merren me rastin

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka reaguar në lidhje me rastin që ka qarkulluar në media, për pretendimin e përfshirjes së anëtarit të kryesisë së LVV-së Bislim Bislimaj në dhunimin e 13 vjeçares.

Gjatë ditës së djeshme një faqe e Facebook ka publikuar një bisedë në platformën viber, ku pretendohet se dy persona bisedojnë mes vete për plasimin e lajmit për pretendimin e dhunimit të 13 vjeçares.

Sipas raportimeve të mediave, njëri nga personat që komunikojnë është pjesë e stafit të Sokol Halitit.

Haliti ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të merren me rastin.

“Unë si kryetar komune, këtë akuzë e kam kuptuar nga mediumet dhe dënoj fuqishëm këto akuza dhe etiketime të pjesëtarëve të stafit tim, dhe ftoj organet e drejtësisë që të merren sa më parë me këtë rast, dhe ta bëjnë ndriçimin e rastit dhe zbulimin e akterëve”, ka shkruar kryetari i Komunës së Vitisë.

Haliti ka ftuar qytetarët që ditët e mbetura të fushatës t’i kalojnë sa më lehtë.

“Ftoj qytetarët e komunës së Vitisë që edhe këto ditë pak të fushatës, ti kalojnë në mënyrën sa më të qetë dhe ti japin kuptim demokracisë, ashtu siç Vitia ka ditur gjithëherë, dhe mos të bien pre e dezinformatave, të cilave herët a vonë do t’iu dihet burimi i tyre”, thuhet në reagimin e komunës së Vitisë.

Prokuroria e Gjilanit ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se i është ndërprerë masa e ndalimit prej 48 orëve të dyshuarit për dhunimin e 13 vjeçares.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se më 4 nëntor është raportuar në stacionin policor në Viti për një të mitur të humbur, ku edhe është njoftuar prokurori kujdestar dhe në bashkëpunimin me Policinë kanë filluar veprimet hetimore.

E mitura më 5 nëntor kishte telefonuar familjarët e saj, duke u treguar se gjendet në qytetin e Vitisë, ku për shkak të moshës së mitur (12-vjeçe), e njëjta është dërguar dhe intervistuar në Qendrën për Punë Sociale dhe aty nuk kishte dhënë asnjë deklaratë se është keqtrajtuar seksualisht.

Por, sipas Prokurorisë, po të njëjtën ditë rreth orës 14:00 në stacionin policor në Viti janë paraqitur përsëri prindërit e të miturës, me dyshimin se vajza e tyre ishte keqpërdorur seksualisht nga personi me inicialet B.B.

“Me qëllim të ndriçimit të kësaj ngjarje, me urdhër të prokurorit kujdestar, e mitura është dërguar në ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, personi me inicialet B.B. është ndaluar për 48 orë me dyshimin e veprës penale ‘’Dhunimi’’, mirëpo pas marrjes së raportit mjekësor tek e mitura nuk janë konstatuar dëmtime traumatike dhe patoligjike, pra sipas ekspertëve mjeko ligjor e dëmtuara nuk ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga personi në fjalë dhe as nga persona të tjerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje Policia sqaron se pas pranimit të raportit gjinekologjik dhe ndërmarrjes së veprime tjera hetimore, Prokuroria e Gjilanit, ndaj të njëjtit e ka ndërprerë masën e ndalimit 48 orësh, pasi nuk ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.

I ndërpritet masa e ndalimit 48-orësh të dyshuarit për dhunimin e të miturës nga Vitia