Reagon shkolla që ia ndaloi mësimin 5-vjecarit për shkak të flokëve të gjata – përpjekje për të denigruar drejtoreshën

Drejtoria e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Jeronim De Rada”, ka reaguar pas publikimit të artikullit të KALLXO.com, për largimin nga e njëjta shkollë, të 5-vjeçarit për shkak të flokëve të gjata.

Menaxhmenti i kësaj shkolle nuk e kishe lejuar vijimin e mësimit një djali 5-vjecar për shkak të flokëve të tij të gjatë.

Në një reagim të gjatë, nga drejtoria e kësaj shkollë kanë dhënë versionin e tyre të ngjarjes.

Drejtoria thotë se edukatorja e grupit ku vijonte mësimin 5 vjeçari E.I., Luljeta Beqiri kishte njoftuar nënën e tij lidhur me rregulloren e brendshme të shkollës dhe i kishte sugjeruar që të bisedojë me drejtoreshën.

“Edukatorja e grupit znj. Luljeta Beqiri kishte njoftuar nënën e fëmiut lidhur me rregulloren e brendshme të shkollës, dhe me ç`rast i ka sugjeruar asaj që të bisedojë me drejtoreshën e shkollës lidhur me pikën që binte ndesh norma e rregullit shkollor dhe fëmiut të saj, e që në fakt kishte të bënte me flokët e gjata të të birit të saj. Pas kësaj, Drejtoresha e Shkollës ka takuar prindin e fëmiut dhe me ç`rast i ka prezantuar rregulloren e shkollës, duke i potencuar faktin se kjo si rregullore është përpiluar, shqyrtuar, analizuar dhe vendosur nga Këshilli Drejtues i Shkollës” – thuhet në reagim.

Drejtoria thotë se rregullorja e brendshme e shKollës është përpiluar vite më parë dhe është trashëguar mandat pas mandati dhe se sipas tyre qëllimi i rregullores ishte t’i shërbente shkollës dhe jo të cenonte në karakterin personal të askujt.

Më tej, nga drejtoria sqarohet se me 13 tetor kanë pranuar një procesverbal nga Inspektorati i Punës, me qëllim të inspektimit dhe shqyrtimit të rastit të 5-vjeçarit.

“Ndërkaq, me datë 13.10.2022, kemi pranuar procesverbalin e mbajtur gjatë inspektimit tematik me qëllimin e inspektimit “ Shqyrtimi i rastit të publikuar në media mohimin (largimin) e fëmiut 5 vjeçar nga procesi mësimor në shfmu “ Jeronim de Rada”, ku me këtë procesverbal kemi marrë rekomandimin që Drejtoria e Shkollës në koordinim me Këshillin Drejtues të Shkollës të rishikojmë rregulloren e shkollës dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme në rregulloren e shkollës, prandaj menjëherë do të bëhet koordinimi në mes Drejtorisë dhe Këshillit Drejtues së Shkollës që brenda afatit kohor të përcaktuar në procesverbal të bëjmë ndryshimet e nevojshme”- thekson drejtoria.

Ata thonë se prindi i 5-vjeçarit është lajmëruar për kthimin e tij në shkollë nga personeli i shkollës, përkatësisht nga sekretarja e shkollës Albulena Ahmeti.

Për publikimin e rastit, drejtoria po e quan përpjekje për të zbehur, baltosur e denigruar imazhin e drejtoreshës.

“Andaj, e gjithë kjo përpjekje për të zbehur, baltosur, denigruar imazhin tim si drejtoreshë e shkollës dhe shkollën në përgjithësi, nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje me prapavija tendencioze, të cilat me kohën do të kuptohen”- thuhet ndë të tjera në reagim.

“Sido që të jetë, rasti në fjalë le të shërbejë për ne si Drejtori e Shkollës dhe për të gjithë shkollën pa dallim, gjithmonë si nxitje dhe përpjekje për përditësime të nevojshme pozitive për aspektet e zhvillimit pedagogjik, në mënyrë që përpjekja jonë të jetë përsosje shoqërore kundrejt kërkesave aktuale”- shton drejtoria.

Në këtë link mund të gjeni të plotë reagimin e drejtorisë së shkollës “Jeronim DeRada”.

KALLXO.com ka raportuar më 11 tetor 2022 se një fëmijë 5-vjeçar nuk është lejuar të ndjekë mësimin në shkollën fillore “Jeronim de Rada” për shkak të flokëve të gjata.

Prindi i fëmijës, Fadil Idrizi, thotë se drejtoresha Servete Hajrullahu e ka larguar djalin nga shkolla për shkak të flokëve të gjata.

Ai tha për KALLXO.com se ka kërkuar arsyetim rreth këtij vendimi nga drejtoresha e shkollës, nga Drejtoria e Arsimit dhe nga Inspektorati i Komunës, por nuk ka marrë përgjigje.