Reagon shefi i OSBE-së në Kosovë pas sulmeve ndaj policëve në veri

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport, ka reaguar pas sulmeve të fundit ndaj zyrtarëve policorë nga grupet kriminale në veri.

Davenport ka thënë se akte të tilla drejtuar jetës së policëve janë krejtësisht të papranueshme.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë vëren me shqetësim të madh sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës. Aktet e tilla të shëmtuara, të drejtuara kundër jetës së policëve, detyra e të cilëve është të mbrojnë të gjithë njerëzit në Kosovë, janë krejtësisht të papranueshme”, ka thënë Davenport.

Tutje ai ju ka bërë thirrje institucioneve relevante që të identifikojnë autorët e kësaj vepre dhe t’i vendosin para drejtësisë.

“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të fokusojnë përpjekjet në identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, ka deklaruar Davenport.

Në anën tjetër edhe Bashkimi Evropian në Kosovë ka reaguar pas sulmit ndaj policëve në veri të vendit.

Përmes një postimi në Twitter, BE ka bërë thirrje që të shmangen spekulimet që mund të shtojnë tensione të mëtejshme.

“Bëjmë thirrje të gjithëve që të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, është thënë në postim.

Tutje është shtuar se BE dënon ashpër sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë Kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut mëngjesin e sotëm.

“Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm”, shtohet tutje.

Lidhur me këtë sulm gjatë ditës ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që të dënojë dhe të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj Policisë së Kosovës.

Tutje ai ka shtuar se disa prej policëve të sulmuar ishin serbë të Kosovës.

Kurti po ashtu ka thënë se këto veprime nuk do të pengojnë dhe nuk do të ndalojnë Kosovën nga lufta për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Për tri ditë radhazi (13–15 prill) policët e Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot më herët, një breshër plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë.  Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ketë ardhur nga territori i Serbisë”, u shpreh Kurti.

Një ragim për rastin e njëjtë ka pasur edhe Presidenca.

Shefi i stafit të kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, për katër sulmet që u bënë ka thënë se Serbia dhe, sipas tij, strukturat e saj kriminale, po synojnë që të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe të politikës në Kosovë.

Vela në Twitter ka thënë se Serbia dhe këto veprime do të dështojnë dhe se shteti i së drejtës do të mbizotërojë.

Sot gjatë ditës, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Sveçla ka thënë se sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm me granatë dore dhe kallashnikov ndaj disa policëve të Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Sipas ministrit, ky sulm tashmë është i faktuar. Ministri Sveçla në konferencë për media ka thënë se në tri ditët e fundit janë realizuar katër sulme ndaj policëve të Kosovës në veri.

“Është bërë për qëllim të frikësimit të policëve. Grupe të ndryshme në 3 ditët e fundit kanë realizuar 4 sulme në atë zonë. Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqa metalik në kohën e njëjtë me sulmin e sotëm me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Më tej ministri ka treguar se sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në drejtim të policisë.

“Sulmi i tretë është publik, ka ndodh mbrëmë ku në afërsi të punktit policor, i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri dhe sot janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policor për në pikat kufitare”, ka theksuar Sveçla.

Në anën tjetër, drejtori i policisë ka thënë se mbrëmë në orët e vona ka pasur të shtëna me armë në Zubin Potok, të cilat Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i identifikojë nëse kanë qenë nga brenda territorit të Kosovës apo Serbisë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në konferencë për media ka thënë se brenda tri ditëve (13-15 prill) janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra tjetrës.

Ai ka thënë se më 13 prill kanë ndodhur dy sulme, më 14 prill një sulm dhe sot një sulm.

Mehmeti ka treguar se Njësiti Kundër Terrorit dhe Prokuroria Speciale është duke u marrë me rastin.