Reagon Shaip Kamberi pasi ministri i Serbisë mohon masakrën në Reçak: Vulin i thotë mendimet e Vuçiqit

Shpikje, falsifikim dhe gënjeshtër e ka quajtur masakrën e Reçakut, ministri Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe shefi i Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili e konsideron më problematike heshtjen e Vuçiqit se pohimin e Vulinit për mohimin e masakrës së Reçakut.

Ai shprehet se “Vulini i thotë mendimet e Vuçiqit që nuk dëshiron t’i thotë publikisht”.

“Pohimet e ministrit Vulin për Reçakun janë më pak problematike se heshtja e presidentit Vuçiq. Heshtje që dëshmon se Vuçiqi pajtohet me Vulinin. Se Vulini i thotë mendimet e Vuçiqit që ai vet nuk dëshiron t’i thotë publikisht”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të reagojnë pas kësaj deklarate dhe t’i bëjnë presion Vuçiqit “si shef dhe mbrojtës i Vulinit”.

Ambasadori William Wolker masakrën në Reçak e kishte cilësuar krim kundër njerëzimit, si dhe krim monstruozë të regjimit të Millosheviqit.

Më 15 janar të vitit 1999 regjimi serb pati masakruar 45 shqiptarë në Reçak. Serbia asnjëherë nuk e ka pranuar se ka bërë një krim të tillë.

Ministri i Brendshëm në Serbi e quan gënjeshtër e shpikje masakrën e Reçakut