Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagon Salih Zyba për asamblistin e VV-së të arrestuar për subvencione: Askush nuk do të jetë mbi ligjin

Koordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë, Salih Zyba, ka thënë se askush nuk do të jetë mbi ligjin, në lidhje me arrestimin e asamblistit të Vetëvendosjes në Suherekë, Liridon Fandaj, nën dyshimin për keqpërdorime me subvencione.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyba ka thënë se Vetëvendosja ka marrë me prioritet këtë çështje, duke paralajmëruar vendime sipas statutit, ndaj asamblistit të arrestuar.

“Nuk duam as të paragjykojmë e as të amnistojmë rastin. Subjekti ynë ka qenë dhe mbetet subjekti më i zëshëm kundër keqpërdorimeve me ‘Subvencione’, andaj është esenciale që drejtësia të vihet në vend për secilin rast, për secilin keqpërdorim eventual në sektorin e bujqësisë dhe jo vetëm”, tha Zyba në një përgjigje për KALLXO.com

Zyba ka thënë se me qeverisjen e re në nivel qendror, gjyqësorit dhe Policisë i bëjnë thirrje që të bëjnë punën e tyre.

“Me qeverisjen e re në nivel qendror, gjyqësorit e Policisë iu bëjmë thirrje që të bjënë punën e tyre në mënyrë që të zbardhet rasti. Askush në Kosovë nuk do të jetë mbi ligjin. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Therandë do të mblidhet sa më parë dhe konform rregullave dhe statutit tonë do të marrim  vendime konkrete dhe adekuate për anëtarin e implikuar në këtë rast”, tha Zyba.

Liridon Fandaj, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Suharekës është njëri nga 11 të arrestuarit, gjatë aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës, për keqpërdorime të subvencioneve në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 3 nga të arrestuarit janë zyrtarë dhe 8 të tjerë të dyshuar janë përfitues subvencionesh, të cilët dyshohet se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Detaje nga seanca ku po vendoset për masën e sigurisë ndaj asamblistit të LVV-së