Reagon Prokuroria për vajzën që kanosi një person në komunikacion dhe deklaroi se është vajza e një prokurori

Prokuroria Themelorë në Prishtinë ka thënë se e ka identifikuar vajzën e cila shihej në një video, nga makina duke e kanosur një kalimtare në rrugë e duke deklaruar se është vajza e prokurorit.

Prokuroria ka thënë se vajza në fjalë nuk është bija e ndonjë prokurori në Kosovë.

“Ju njoftojmë se pas veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, është verifikuar identiteti i vajzës në video, V.A., ndërsa, babai i saj L.A., i cili nuk ushtron detyrën e Prokurorit të shtetit në asnjërën Prokurori në nivel të Kosovës. Rasti do të vazhdojë të trajtohet tutje nga organet kompetente”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.

Paraditen e sotme u bë virale në rrjetet sociale një video, në të cilën shihej një vajzë nga makina duke e kanosur një kalimtare. E njëjta dëgjohet duke thënë se ‘e kam babën prokuror’, por që organet e rendit shpejtë e demantuan.