Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagon presidentja Vjosa Osmani-Sadriu (VIDEO)

Ditëve të fundit, presidentja e vendit Vjosa Osmani – Sadriu, është vënë nën kritikë publike, pasi u raportua se ajo po shmangë përmendjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fjalimet e saj.

Osmani – Sadriu, në një reagim bërë në llogarinë e saj në rrjetin social facebbok, ka thënë se Prekazi, Likoshani, Çirezi, Gllogjani, Loxha, Llapushniku, Vërrini, Tabet e Llapashticës, Shala e Bajgorës, Kosharja e Pashtriku, si dhe gjithandej në Kosovë ku Ushtria jonë Çlirimtare luftoi, janë frymëzimi ynë, burim i krenarisë dhe dhimbjes për të gjithë djemtë dhe vajzat e Kosovës që humbëm në luftën për liri.

Presidentja, këtij reagimi, i ka bashkëngjur edhe një video, në të cilën shfaqen momente kur ajo ka folu publikisht dhe e ka vlerësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më poshtë, reagimi i plotë i presidentes Osmani – Sadriu dhe videoja që i ka bashkëngjitur postimit të bërë në Facebook.

Të dashur qytetarë,

Prekazi, Likoshani, Çirezi, Gllogjani, Loxha, Llapushniku, Vërrini, Tabet e Llapashticës, Shala e Bajgorës, Kosharja e Pashtriku, si dhe gjithandej në Kosovë ku Ushtria jonë Çlirimtare luftoi, janë frymëzimi ynë, burim i krenarisë dhe dhimbjes për të gjithë djemtë dhe vajzat e Kosovës që humbëm në luftën për liri. Por, nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme. Si çdoherë, po e përsëris, lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin që e gëzojmë. Përtej propagandës së orkestruar, dëshmitë flasin ndryshe.