Reagon PDK për hyrjen e trupave serbe në Kamenicë

Dje në fshatin Karaçevë në Komunën e Kamenicës kanë hyrë 11 serbë me uniforma dhe me armë.

Për këtë rast ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila e dënon ashpër prezencën e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës.

Sipas reagimit të PDK-së ky veprim është kërcënim i hapur ndaj sigurisë në vend.

“Ky veprim i toleruar nga qeveria e Kosovës dhe KFOR është cenim i rëndë i sovrantitetit dhe sigurisë kombëtare. Është kërcënim i hapur ndaj tërësisë territorale dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se nevoja për mirëkuptim të raporteve mes fqinjësh nuk e arsyeton veprimin e hyrjes së ushtrisë serbe në Kosovë.

“Veprimi i tillë me ushtri, pas gabimeve të qeverisë Kurti dhe Hoti, në futjen pa kontroll të konvojeve “mjekësore dhe humanitare” në emër të pandemisë, për paqen dhe të ardhmen e raporteve mes dy shteteve janë më shumë se gabim – rrezikim dhe rrënim i asaj çfarë është arritur deri më tani”, thuhet në reagim.

PDK fton Qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojnë për këtë veprim dhe t’i ndalojnë këto provokime dhe të shpangim konflikete.

Ftojmë qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojnë me shpejtësi dhe veprime të drejtpërdrejta për t’i ndalur këto provokime të drejtpërdrejta ndaj sovranitetit të vendit dhe shmangin çfarëdo konflikti të mundshëm që mund t’i cënoj të arriturat e deritanishme.