Reagon Pacolli pas vendimit të Gjykatës së Shkupit për Tomor Morinën

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në dorëheqje, Behgjet Pacolli është shprehur i lumtur që Tomor Morina e ka fituar betejën e parë të gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut për të kundërshtuar kërkesën serbe për ekstradim.

“Ne besojmë fuqimisht në punën profesionale të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe lidhjen e miqësisë që kanë vendet tona”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Më tej ai thënë se shumë shpejt Morina do të kthehet në shtëpi te familja dhe miqtë e tij.

“U bëj thirrje të gjithëve të jenë të durueshëm”, ka përfunduar Pacolli.

Gjykata Penale e Shkupit ka dhënë mendimin lidhur me ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, i cili, sipas saj, nuk duhet të esktradohet në Serbi.

Gjykata konsideron se në rastin në fjalë nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Morinës, ndërsa mendimin, me gjithë dokumentacionin, përfshirë edhe kërkesën serbe, e ka dërguar për shqyrtim të mëtejmë në Gjykatën Supreme.

Gjykatat Penale gjithashtu e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit deri në përfundimin e gjithë procedurës.

Morina, ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, bazuar në një fletarrest të INTERPOL-it, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, që aktualisht gjendet në burgun e Shkupit, dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, ka kryer krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Gjykata e Shkupit vendos për rastin e Tomor Morinës