Reagon Mustafa pas vendimit të MCC-së, thumbon Kurtin

Milenium Challenge Corporation (MCC) ka aktivizuar sërish programin e saj në Kosovë. Sipas MCC, vendimi është marrë pas heqjes së masave të reciprocitetit nga Qeveria Hoti. Vendimin e MCC-së e ka mirëpritur edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili në një shkrim në Facebook u shpreh se SHBA-të e mbajtën premtimin. Në shkrimin e tij, Mustafa u shpreh se MCC-ja tregoi besim ndaj Qeverisë Hoti dhe thumboi Qeverinë Kurti.

“SHBA-të e mbajtën premtimin. Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC, riaktivizoi fondet për Kosovën, rreth 250 milion dollarë, pas vendimit të sotëm të Qeverisë Hoti. Ia destinoi shtetit të Kosovës, i cili sot, përmes një qeverie të përgjegjshme, iu rikthye miqësisë, besimit dhe partneritetit me SHBA-të dhe BE-në. Po duket se MCC nuk u brengos shume për elegjitë populliste për konceptet e sovranitetit, të disa akterëve tanë politik. Në vend që të “vajtojnë” me ta, MCC tregoi besim ndaj Qeverisë Hoti dhe përkushtim për shtetin e Kosovës. Sovraniteti ynë është i lidhur në mënyrë jetike me miqtë tanë strategjik”, ka shkruar Mustafa në Facebook.