Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagon MPJD për shkëputjen e kontratës me kompaninë për transportin e dërgesave diplomatike

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar pas raportimit në KALLXO.com se përmes një vendimi të datës 24.10.2024 ka shkëputur kontratën me kompaninë “A.L. Dushi”, e cila ishte e kontraktuar për transportimin e dërgesave diplomatike nëpër ambasadat e Kosovës në Europë dhe botë.

Në reagimin e saj, MPJD e ka konfirmuar se kompania e kontraktuar që ofronte shërbimet postare diplomatike ka shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve.

Sipas MPJD-së, kompania në fjalë ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin qershor 2024.

“Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës” – thuhet në njoftimin e MPJD, më 25.10.2024.

MPJD ka qartësuar se nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara.  

“MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë” – kanë theksuar MPJD.

KALLXO.com ka raportuar më 25.10.2024 rreth vendimit të MPJD-së për shkëputjen e kontratës me kompaninë “A.L. Dushi”, në të cilin thuhet se numri total i dokumenteve që ende nuk kanë arritur në destinacion janë 406 pasaporta; 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie, për sa kohë që këto dokumente nuk dihet se ku janë aktualisht. 

Kompania është arsyetuar se është duke u marrë me prioritet me këtë çështje, ndërsa MPJD thotë se hetimet janë duke vazhduar.

KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë “A.L. Dushi”, por deri në publikimin e raportimit për vendimin e MPJD-së ndaj tyre nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Vendimi për shkëputjen e kontratës është marrë nga u.d. drejtoresha e Prokurimit Publik, Kaltrina Dalipi.

Në këtë vendim bëhet e ditur se me 18.10.2024 është mbajtur një takim me kompaninë “A.L. Dushi” për dërgesat të cilat ende nuk kishin arritur në destinacion dhe sipas MPJD-së, kësaj kompanie i është dhënë afat deri më 21.10.2024 të njoftojë zyrtarisht për dërgesat.

Përgjigjja e operatorit ekonomik, siç njofton MPJD, ka qenë se “procesi është nën monitorim nga partnerët dhe se është duke u trajtuar me prioritet të lartë”.

“Fatkeqësisht si pasojë e kompleksitetit të procesit dhe inkorportimit të shumtë të akterëve, i njëjti është duke marrë kaq kohë dhe kërkon një kohë shtesë për një zgjidhje përfundimtare. Edhe pse operatori në takimet e mëhershme është shprehur se dërgesat janë në Koln/Gjermani, del se UPS shkruan që ende nuk kanë pranuar dërgesat dhe hetimet për këtë rast janë duke u vazhduar” – thuhet në vendimin e MPJD-së.

Në vendim përshkruhen edhe vërejtjet me shkrim që i janë dhënë kompanisë “A.L. Dushi”, që nga fillimi kur ka pasur vonesa.

“Me datë 26.06.2024 në cilësinë e menaxherit të kontratës kam paralajmëruar operatorin për vërejtje për respektim të afateve, por edhe përkundër kësaj me rastin e dërgesës së tretë, dërgesë kjo e cila është nisur datë 03.07.2024 përsëri nuk ka rritur në destinacion, konkretisht në misionet tona diplomatike dhe konsullore pas 48 orësh, kjo tregon se operatori nuk po u përmbahet afateve kontatraktuale, andaj u vendos vërejtja e parë me shkrim” – thuhet në vendimin e MPJD-së.

Tutje bëhet e ditur se një dërgesë që është nisur nga Ambasada e Kosovës në Romë për në MPJD, e datës 01.07.2024, kanë qenë lëndë gjyqësore, në të cilat zarfet kanë qenë të dëmtuara.

Po ashtu, thuhet se në një rast tjetër, Ambasada e Kosovës në Bern përmes videove dhe fotografive ka dëshmuar që postën diplomatike të nisur nga MPJD, operatori nuk e ka dorëzuar në ambasadë, por vetëm e ka lënë në postë jashtë ndërtesës.

“Edhe përkundër vërejtjes së parë, me datë 09.10.2024 në cilësinë e manaxherit të kontratës kam paralajmëruar operatorin për mos respektim të afateve, konkretisht për 12 dërgesat e datës 02.10.2024 të cilat nuk kanë arritë me kohë, ashtu siç është e përcaktuar në specifikat e kontratës, andaj u vendos t’i shqiptohet vërejtja e dytë me shkrim me 15.10.2024” – thuhet tutje në vendim.

Kontrata ka qenë kornizë, për tre vite me vlerë të përgjithshme prej 250 mijë euro, ndërsa për periudhën qershor-shtator 2024 janë shpenzuar 22 mijë e 177 euro.

KALLXO.com kishte raportuar qysh në korrik të këtij viti që kompania që kishte fituar tenderin po vonohet në dërgimin e pasaportave te mërgitmarët. MPJD ishte zotuar se nuk do të lejojë më vonesa, kurse ministrja Donika Gërvalla- Schwarz ishte arsyetuar se vonesat po ndodhnin për shkak të ndërrimit të operatorit.

Sipas kontratës së nënshkruar, kompania për në Evropë kishte afat që të dorëzojë dërgesën nga 24 deri në 48 orë, nga marrja e saj. Ndërsa për në SHBA, Kanada, Australi, Azi dhe Afrikë afati për dorëzimin e dërgesës nga marrja e saj ishte 36 deri në 72 orë.