Reagon MPJ për fushatën serbe të tërheqjes së njohjeve

Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë në largim ka reaguar ndaj fushatës së shtetit serb për tërheqjen e njohjeve nga shtete të ndryshme.

MPJ në reagim ka thënë  se Kosova është përballur në tri vjetët e fundit me një fushatë të paprecedent diplomatike dhe propagandistike nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova në koordinim me vendet e Quint-it e ka kundërshtuar këtë fushatë dhe në koordinim të ngushtë me shtetet Quint ka ndërmarrë hapa ndërkombëtarisht.

“Ne kemi shprehur shqetësimin tonë se kanë përdorur ryshfete, afera korruptive, shitje të armëve dhe marrëveshje për heqjen e vizave dhe afera jo-moralshme (si rasti i INTERPOL-it) për të kundërshtuar Kosovën”, thuhet në komunikatë.

MPJ ka shtuar se zyrtarë serbë kanë përdorur dokumente të rreme për të lobuar kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Serbia ka ftuar zyrtarë të huaj në Beograd në vizita pa marrë parasysh legjitimitetin e tyre dhe përmes ryshfeteve janë lëshuar “nota diplomatike” dhe dokumente të rreme që janë hedhur poshtë nga vendet përkatëse mandej, si rasti i Liberisë (para TV liberian Presidenti i Liberisë e demanton dhe lëshon komunikate), Ganës, Guinea-Bissaut (akreditimi i Ambasadorit të Kosovës), Burkina Fasos (dërgon dokument që demanton Beogradin), Republikës së Afrikës Qendrore (po zhvillohen hetime për aferë korruptive), Sao Tome and Principe (takimet e nivelit të lartë ku mohohet deklarata e Daçiqit dhe vendet e tjera si Papua New Guinea, Palau, Somalia, Komorët, Burundi. Të gjitha notat diplomatike të treguara në Beograd të cilat janë hedhur poshtë nga qeveritë përmes kanaleve diplomatike ose publikisht janë shkruar nga një person i vetëm i cili është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës dhe i cili shërben tani si Këshilltar për Ministrin e Jashtëm Serb”, vazhdon më tej komunikata.

Sipas MPJ-së, organizatat ndërkombëtare si Amnesty International kanë shprehur shqetësimin e tyre për shitjen e armëve të Serbisë në Afrikë. Në shumë vende kjo është përdorur si një mjet për të forcuar propagandën e saj në shtëpi për Ivica Daçiqin.

Ndërsa në komunikatën e ministrisë thuhet që Kosova është e gatshme të veprojë si një fqinj konstruktiv, por Serbia po instalon një klimë që nuk krijon hapësirë për normalizimin e marrëdhënieve.