Reagon Ministria e Mjedisit pas kallëzimit penal nga OJQ-të

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar pas kallëzimit penal që u dorëzua ndaj tyre dhe se veprimet e tilla, MMPH i vlerëson si presion ndaj zyrtarëve publik.

“Vlerësojmë se përqendrimi dhe lakimi i emrave të përveçëm nga grupe të tilla jo-qeveritare kanë për qëllim linçimin publik të po këtyre zyrtarëve dhe zhvendosjen e vëmendjes së opinionit, duke orientuar padrejtësisht, pakënaqësitë publike ndaj problemeve të ndërlidhura me ndërtimet në Liqenin e Badovcit nga Komuna në MMPH. Për ne si institucion si dhe për gjithë personelin e MMPH-së, veprime të tilla janë të papranueshme, madje edhe fyese”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Tutje ata thonë se MMPH-ja është institucion që vepron në mënyrë transparente, sipas kompetencave të përcaktuara me ligj.

“Në rastin specifik për ndërtimet në zonën afër Liqenit të Badovcit, ne i kemi ofruar qasje të plotë të interesuarave dhe përfaqësueseve të mediave në të gjitha dokumentet që ndërlidhen me këtë rast dhe qasje të njëjtë do të kemi edhe me organet e drejtësisë, me qëllim të argumentimit të ligjshmërisë së vendimeve tona”, thuhet në reagim.

Ministria thotë tutje se “është e përkushtuar të zbatojë në përpikëri ligjin në mbrojtje të të gjitha rezervave ujore në Kosovë, dhe me theks të veçantë të Liqenit të Badovcit, dhe që në asnjë rast nuk do të lejojë shkeljen e këtij ligji nga ndërtimet eventuale nga kushdo qoftë”.

Ata po ashtu njoftuan palët e interesuara dhe organizatat në fjalë, se Ministria u ofron qasje në të gjitha dokumentet dhe vendimet në lidhje me projektin specifik, me qëllim të sqarimit të gjitha detajeve.

Gjatë ditës së sotme, Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka bërë kallëzimin penal ndaj Arben Çitakut sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit, për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badovcit.

Sipas kallëzimit penal, Çitaku duke e shfrytëzuar pozitën apo detyrën e tij me qëllim që t’i shkaktojë dëm zonës së mbrojtur liqenit të akumuluar të Badovcit ka nxjerrë vendime më të cilat i’a ka imponuar Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, që edhe pas dy refuzimeve, të bëjë lëshimin e kushteve të ndërtimit të  kompleksit të shtëpive individuale të banimit.

Organziatat kanë ftuar edhe Prokurorinë e Shtetit që në lidhje me këtë kallëzim penale të ndërmarrë veprimet hetimore.

Kallëzimi penal ndaj Çitakut është bërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS); Balkan Green Foundation (BGF); Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP); dhe  Instituti GAP.

OJQ-të konsiderojnë se Çitaku ka bërë tetë shkelje të ligjeve në fuqi në lidhje me ndërtimet në afërsi të liqenit të Badovcit./RTV21

Asambleja e Prishtinës voton për pezullimin e të gjitha procedurave për ndërtim në afërsi të Badovcit

.