Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagon Ministria e Jashtme: OKB ka qenë e informuar për shpalljen “persona non grata” të pjesëtarit rus të saj

Sharr Jakupi, shefi i stafit të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pas deklaratës së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Këta të fundit thanë se nuk kanë qenë të informuar zyrtarisht nga autoritetet e Kosovës për shpalljen “persona non grata” të një pjesëtari rus të këtij misioni.

Mirëpo, sipas Jakupit, UNMIK është njoftuar për një gjë të tillë.

“UNMIK është njoftuar nga MPJ të premten, më 31 dhjetor 2021, se një nga zyrtarët e tyre ishte shpallur persona non-grata”, ka thënë ai në Twitter.

Mirëpo, sipas Stephane Dujarric i cili është zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, UNMIK nuk ka marrë një njoftim të tillë.

Dujarric kishte thënë se sipas ligjeve me të cilat funksionon UNMIK-u, doktrina “persona non grata” nuk mund të aplikohet ndaj personelit të këtij misioni.

“Jemi në dijeni që autoritetet në Kosovë kanë shpallur ‘persona non grata’ një pjesëtar të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Nuk kemi pranuar asnjë komunikim zyrtar në mision nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara nuk parashihet në rregulloren e UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thujet në deklaratën e Dujarric.