Reagon ministri Peci pas kërkesës së PDK-së për shkarkimin e tij
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas kërkesës së PDK-së për shkarkimin e tij, duke thënë se që “nga nesër do t’i demaskoj si kurrë më parë”, duke aluduar në PDK-në dhe LDK-në.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit dhe fillimin e hetimeve për grantin e ndarë nga Ministria e Bujqësisë, sipas PDK-së, për vëllaun e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollin.
Përmes një postimi në Facebook, Peci ka thënë se sulmi është i kuptueshëm pas, sipas tij, sukseseve në sektorin e bujqësisë.
“Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim. Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra” – ka shkruar ministri Peci.
Anëtari i kryesisë së PDK, Arben Mustafa, në një konferencë për media ka kërkuar po ashtu shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Mustafa ka thënë se zbulimi i “skandalit” siç e ka quajtur ai, të përfitimit të grantit në vlerën rreth 100 mijë euro nga vëllau i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, përbën dëshmi, sipas tij, se “si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës”.