Hekuran Murati, Mistri i Financave, Foto: Arta Sopi, KALLXO.com

Reagon ministri i Financave pasi LDK nuk e votoi marrëveshjen për 'Reformën në Sistemin e Ndihmës Sociale'

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas mosmiratimit të marrëveshjes për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.

Sipas Muratit, duke mos votuar në Kuvend për miratimin e kësaj marrëveshjeje përmes të cilës do të përfitonin dhjetëra familje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë historinë.

“Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot”, ka shkruar Murati në Facebook.

Marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore kishte për synim reformimin e skemës së ndihmës sociale për të targetuar sa më mirë dhe përfshirë familjet në nevojë.

“Po ashtu, projekti kishte synim ndërtimin dhe  integrimin e sistemeve që këto familje të mbështeteshin drejt integrimit në tregun e punës, ashtu që mbështetja sociale të ishte e përkohshme, dhe të shërbente si fazë kalimtare deri në punësimin e tyre. Nga kjo marrëveshje do të përfitonin dhjetëra mijëra familje”, ka përfunduar Murati.

Nuk kalon marrëveshja për Reformën e Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë