Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Foto: Kallxo.com

Reagon Mentor Shala pas shkarkimit nga RTK: Ishte vendim i pritshëm

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala ka reaguar pas vendimit të bordit të RTK-së për shkarkimin e tij.

Shala në një postim në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se ky vendim ishte i pritshëm nga ana e tij.

“Bordi i RTK-së me propozimin e Ud.Drejtorit të Përgjithshëm paska marrë vendim të më shkarkoj nga pozita e zv/Drejtorit Gjeneral. Ishte vendim i pritshëm, e për arsyet pse ishte i pritshëm do të flasim diku tjetër”, ka shkruar Shala.

Ai ka falënderuar stafin e RTK-së për bashkëpunim që prej vitit 2010 duke shtuar se pa ndihmën e askujt arritën ta zhvillojnë RTK-në.

“Unë e falënderoj të gjithë stafin e RTK-së për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kemi pasë për tërë periudhën time menaxheriale që prej vitit 2010. Me ndihmën dhe përkrahjen e kolegëve të RTK-së dhe pa ndihmën e askujt, madje me presionin e tmerrshëm të politikës, si opozitë e pushtet, ne arritëm ta zhvillojmë RTK-në”, ka thënë Shala.

Tutje ai ka shtuar se pavarësisht presionit nuk u dorëzua duke theksuar prapë se një vendim i tillë ishte i pritshëm.

“Ishin pikërisht këto zhvillime të mëdha të RTK-së që shtuan presionin e tmerrshëm politik ndaj meje dhe institucionit tonë. Por kurrë s’u nënshtruam as s’u dorëzuam. Na sulmuan edhe me bomba në objektin e RTK-së dhe në shtëpinë time, por kurrë s’u dorëzuam! I falënderoj shumë kolegët dhe koleget për gjithë punën që e kemi bërë bashkë! Për mua ishte e pritshme shkarkimi në rrethanat në të cilat jemi! Vazhdojmë me idetë e reja në rrethanat e reja!”, ka shtuar Shala.

Bordi i RTK-së në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme kishte marrë vendimin për shkarkimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shalën.

Propozimi për shkarkim ishte bërë nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ndërkaq në vend të Shalës, është emëruar Arsim Halili, deri në përzgjedhjen e kandidatit për këtë pozitë sipas konkursit publik, por jo më shumë se 6 muaj.