Reagon MASh pas kallëzimit penal të LV-së për tenderin mbi 2.8 milionësh

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë sqarime sa i përket kallëzimit penal që është dorëzuar dje nga ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka për një tender që ishte hapur nga kjo ministri.

“MASH sqaron se kallëzimi penal i ngritur ndaj ministrit Ramë Likaj nuk qëndron për arsye se, ministri nuk ka nënshkruar asnjë dokument që lidhet me tenderin “Blerja e pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”. Pra, dosja e tenderit është nënshkruar nga personat përgjegjës (zyrtarët e MASh) dhe personi i autorizuar nga ministri”, është thënë në reagim.

MASh ka shtuar se kërkesa e nënshkrimit të procedurave të prokurimit është përcjellë nga Divizioni i Infrastrukturës dhe në pjesën e specifikimeve teknike janë 43 artikuj.

“Në bazë të kërkesës së inicuar të Divizionit të Infrastrukturës, gjatë procedurës së prokurimit është bërë një gabim teknik, i cili është rregulluar shtatëmbëdhjetë ditë para hapjes së tenderit. MASh gjithashtu njofton se, kontrata në fjalë është nënshkruar për 43 artikuj, siç është përshkruar në kërkesë dhe nuk ka pasur ndryshim në çmime. Shpallja e fituesit është bërë sipas ofertës me çmimin më të ulët”, thuhet më tej.

MASh thotë se inicimi i procedurave të prokurimit ka filluar më 4 nëntor 2020 dhe hapja është bërë më 27 nëntor 2020. Procedurat kanë qenë transparente dhe të publikuara në e-prokurim.

“Gjatë procedurës së prokurimit ka pasur një ankesë nga një operator ekonomik, ku Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka marrë vendim në favor të autoritetit kontraktues. Vendimi i OShP-së me numër A.nr.1069/20, ankesën e operatorit ekonomik e hedh si të palejuar dhe konstaton se autoriteti kontraktues, pra MASh mund të vazhdojë tutje me procedurat e prokurimit publik”, thuhet në reagim.

MASh gjithashtu ka shtuar se procedurat kanë qenë transparente dhe në përputhje të plotë më Ligjin e Prokurimit.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka dja ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe dy zyrtarëve të kësaj ministrie, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tenderi për të cilin LV ka dorëzuar kallëzim penal është “Blerja e pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” dhe  vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 2,880,000.00 euro.

KALLXO.com ka dërguar kërkesë për qasje në dokumente më 16 janar për të parë kontratën e plotë të këtij tenderi, sepse në uebfaqen elektronike të Prokurimit Publik ajo nuk është publikuar e plotë dhe deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka pranuar përgjigje.

 

LVV dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit të MASH dhe dy zyrtarëve të kësaj ministrie

,